Home Lajme nga Fieri Gjimnazi “Janaq Kilica” në Fier hap dyert me mjedise bashkëkohore për vitin...

Gjimnazi “Janaq Kilica” në Fier hap dyert me mjedise bashkëkohore për vitin e ri shkollor

1012

Gjimnazi “Janaq Kilica” në Fier, do të hapë dyert këtë vit të ri shkollor me kushte dinjitoze, klasa të reja, laboratorë, terrene sportive e mjedise bashkëkohore për rreth 400 nxënës dhe mësues, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë së Fierit.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau foto nga mjediset e reja të këtij gjimnazi.

Projekti përfshiu instalimet elektrike dhe hidraulike, sistemin e ngrohjes, rregullimin e shtresave bazë, përmirësimin e tualeteve, restaurimin e fasadave, ndërrimin e dyerve e dritareve dhe vendosjen e sistemit të kamerave.

Në 8 shtator, ditën e parë të vitit të ri shkollor 2025-2026, do të hapin dyert 30 shkolla të reja nga veriu, në jug.

Në të gjithë shkollat e vendit të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm vijojnë përgatitjet për vitin e ri shkollor.

Regjistrimet për nxënësit e klasave të para dhe klasave të dhjeta për vitin e ri shkollor ishin të hapura në platformën “e-Albania” deri më 1 shtator.

Ndërkohë që vijon edhe shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin. Janë rreth 9 milionë euro, të cilat vihen në dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollorë falas nga klasa e parë në klasën e 9-të dhe gjithashtu edhe për 16 kategori nxënësish, të cilët janë në gjimnaze.