Home Lajme nga Fieri Fier/ Tre grevistë në Marinëz shfaqin probleme shëndetësore, u jepet ndihma mjekësore

Fier/ Tre grevistë në Marinëz shfaqin probleme shëndetësore, u jepet ndihma mjekësore

703

Tre grevistë në Marinëz nuk janë ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është dashur ndërhyrja e ambulancës për t’u dhënë ndihmën e menjëhershme.

Ashtu siç ishte edhe nga pamjet e dërgura nga korrespondetja e RTSH-së në Fier, Laureta Roshi, tre grevistëve u është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore ku prej pesë ditësh, 10 naftëtarë dhe sindikalistë të sektorit të hidrokarbureve ndodhen në grevë urie në Marinzë të Fierit, duke kërkuar trajtim dinjitoz dhe barazi në sistemin e pagave.

Ndërkaq, tre ditë më parë në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH 1, grevistët parashtruan publikisht kërkesat e tyre kryesore që kanë të bëjnë me rritje pagash, përmirësim të kushteve të punës.

Sipas grevistëve, kompania nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave të tyre, duke treguar, siç e cilësojnë ata, “arrogancë institucionale”.

Konstatojmë që kompania ka një lloj arrogance, sepse punonjësit kanë dy ditë që kanë pezulluar punën, kemi dy ditë në grevë dhe ende nuk shfaqen për të negociuar kërkesat që kemi parashtruar.Kërkojmë rritjen e fondit të pagave me 18% dhe për ndarjen e këtij fondi për punonjësit me pagat më të ulëta, duke zvogëluar diferencën që kanë pagat e ulëta me ato të larta”.

Më tej, ai sqaroi se pjesëmarrja në grevë është kufizuar për shkak të kushteve në ambientet e kompanisë.

Në grevë ndodhen 10 anëtarë të kryesisë së Sindikatës së Naftëtarëve, ndërsa shumë të tjerë kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar, por hapësirat fizike nuk lejojnë pjesëmarrjen e më shumë se dhjetë personave.

Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e një strukture të miratuar pagash. Grevistët theksojnë se pagat janë vendosur në mënyrë preferenciale, pa marrë parasysh profesionin, arsimin apo përvojën e punonjësve.

Në shoqërinë tonë nuk ka një strukturë pagash të miratuar që ne të themi kjo është paga minimale, mesatare apo paga e lartë, apo punonjës me këtë profesion kanë këtë pagë dhe me këtë vjetërsim këtë nivel page. Pagat janë vendosur në mënyrë preferenciale pavarësisht profesionit dhe arsimit. Ndaj ne kërkojmë barazimin e nivelit të pagave sipas profesionit që kryejmë.” u shprehën ata.

Protesta është mbështetur sot edhe nga rreth 250 punonjës të tjerë, të cilët kanë pezulluar punën në shenjë solidariteti me grevistët.

/rtsh.al/