Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ditën e sotme në një prej sallave të Hotel Fierit u zhvillua promovimi i librit “Skena dhe prapaskena”, me autor profesor Lufter Xhuveli.

Në këtë vepër me kujtime, autori sjell rrëfime të veçanta nga jeta e tij, duke ndarë me lexuesin ngjarje në të cilat ka qenë dëshmitar apo pjesëmarrës aktiv, si edhe takimet e njohjet e tij me figura të rëndësishme politike, që nga periudha komuniste deri në vitet postkomuniste.

Në praninë e një audience të përbërë nga miq, kolegë, përfaqësues të medias dhe politikës, profesori ndau reflektime mbi rrugëtimin e tij dhe zhgënjimet që ka përjetuar ndër vite.
Libri përmbledh më shumë se 60 vite jetë e veprimtari, të ruajtura me kujdes në kujtesë, dokumente dhe ditarë personalë.

Lufter Xhuveli, i njohur për kontributin e tij si agronom, nëpunës, rektor universiteti, deputet, ministër dhe kryetar partie politike, ndërton me mjeshtëri një mozaik ngjarjesh që pasqyrojnë historinë dhe zhvillimet shoqërore të vendit nga viti 1962 deri më 2024.
Nën drejtimin e historianit Ilirjan Gjika, në aktivitet referuan shkrimtari Fran Ukcama, gazetari Enver Shehu dhe skulptori Haxhi Kalluci, të cilët sollën kujtime, vlerësime dhe emocione për veprimtarinë e profesor Xhuvelit, duke e cilësuar librin si një dëshmi të çmuar për historinë bashkëkohore shqiptare.
“Skena dhe prapaskena” pritet të ngjallë interes të veçantë tek lexuesit fierakë dhe më gjerë, si një rrëfim i sinqertë e plot reflektime nga një personalitet me përvojë të gjatë në jetën publike dhe akademike.












