Nga: Mëhill Marku
Ishte Mars i vitit 1968. Në Tiranë kundërmonte aroma e mimozave. Kishte filluar çdo gjë të lulëzonte e të vishte ngjyrat e pranverës. Po shtohej gjelbërimi, ishin gjallëruar lëvizjet e gjallëria në kryeqytet. Ndërsa pemët e lulet po çelnin e po visheshin me kostumin e stinës dhe njerëzit filluan të liroheshin nga rrobat dimërore dhe kishin filluar të çelnin bukuritë e hirët njerëzore në rrezatimin pranveror. Për kursantët kishte ardhur koha për fluturim. Ishte një urdhër i Ministrisë Mbrojtjes Popullore që na e preu si me thikë ëndrrën e moshës e të jetës në Tiranë.
Një grup prej 10 vetash, ish- “skënderbegas”, do të shkonim urgjent në Pashaliman, në Brigadën e Nëndetëseve. Ishte urdhri i Atdheut. Lamë shëtitjet, lamë ëndrrat rinore, lamë Sheshin “Skënderbej”, kinematë, teatrin, ndonjëri la dashurinë që sapo kishte filluar të çelte sythet e saj dhe u pregatitem për në Pashaliman.– “More atje në det, s’ka gjumë që na zë, pa e pa dritën e diellit me sy”, – tha Rexhepi dhe na shihte në sy. Unë, me që isha një vit më i madh në moshë se ata, dhe si mirditor, mundohesha të bëja trimin, por ishte e kotë.
Tek secili mbizotëronte kurioziteti por dhe ankthi e frika.
“Do të mësohemi dhe ne si shokët e tjerë, siç janë mësuar ata që kanë vite në nëndetëse e, nuk i ka gjet gjë”, na dha zemër Gëzimi.
“Flemë tani” – tha Sabriu, dhe nga heshtja na dukej se na zuri gjumi, por lëvizjet poshtë batanijeve, tregonte përjetimin me ankth të lundrimit të nesërm.
Pjetri nuk pipëtinte, jo nga frika, por nga indiferentizmi, dhe i mjaftonte muhabeti ynë, e kështu edhe ai ishte pjesë e bisedës tonë. Dhe e nesërmja erdhi shumë shpejt. Do të dilnim të gjithë bashkë në det me nëndetësen e parë, me komandant Aleko Pojani. U dha alarm luftarak në nëndetëse:
“Nëpër vende qëndroni, nëndetësen për luftë e lundrim, përgatit”. Hapëm sytë e shikonim njeri- tjetrin të befasuar.
Mirë lundrimi, por ajo fjala luftë nga na erdhi, që ditën e parë?! – “E hëngrëm çuna”, – tha Bashkimi me zë të ulët.- “Ikëm dhe ne”, – tha Rexhepi. – “U pa kjo punë”! “A për luftë na takoi fati ne”?! – tha një tjetër.
Çdo gjë ishte si në luftë. Komanda, sinjale, lëvizje rrufe, veprime e raportime të shpejta, ndezje motorësh, kontroll i nëndetëses në hermetizm, zhurma agregatesh e aparaturash të panumërta, raportime në postin qendror nga ku komandohej nëndetësja. Çdo gjë ishte e sinkronizuar si në një ansambël artistik, luftarak desha të thonja, me ngjyra lufte. Në veshët tanë herë gumëzhinte zhurma e ajrit e presionit të lartë, herë herë na gufonin veshët nga vakumi, tek kontrollohej hermetizmi i anijes e, ne na këshilluan që duhej të përtypeshim që të na liroheshin veshët, dhe kështu bëmë. Një rregull e disiplinë e përsosur, që na mahniti.
Nëndetësja i ngjante një kombinati me të gjitha llojet e reparteve të tij. Dëgjonim fjalë e emërtime të padëgjuara kurrë, profesione e poste luftarake, ku secili detar e kuadër, e zbatonte me përpikmëri detyrat, librezën luftarake e, numrin luftarak që çdo detar e kishte si etiketë, në xhepin e bluzës së tij. Ne rrinim të shtangur, ashtu të tulatur e të shpërndarë nëpër lokale apo, në postin qendror në lokalin e tretë. Nëpër translacionin e radios, apo në tubacionin e foljes që përshkonin gjithë trupin e nëndetëses, jepeshin urdhra, komanda, përcilleshin detyra e raportime, për zbatimin e tyre. Në nëndetëse kishte vetëm një; “jes”, si dhe përsëritej komanda e dhënë dhe raportimet për zbatimin e tyre.
Nëndetësja ishte e ndarë në shtatë lokale, që komunikonin me dyer katërkëndëshe e lugje të rrumbullakëta. Gjithë efektivi vëmendjen e përqendronte te komandanti i nëndetëses dhe inxhinieri mekanik, në mendjen e në duart e të cilëve qëndronte jeta e efektivit dhe nëndetëses. Komandantin, efektivi e shikonte jo vetëm si një njeri me aftësi e dije të jashtëzakonshme, por edhe si shpëtimtar.
“Çfarë do jetë ky njeri, që di gjithë këto gjëra”?! – tha Rexhepi dhe sy e mëndje na kishin mbetur tek komandanti, i cili ishte një figurë mitike për nëndetësen, se te ai varej jeta e efektivit.
Zëvendës komandanti trokiti në kajuten e komandantit dhe i raportoi: “Shoku komandant, gati dreka”. Erdhi dhe zuri vend në krye të tavolinës. Mori gotën e verës dhe uroi: “Mirseerdhët ju kuadrit e rinj”. Dhe pas komandantit, filluam të gjithë. Çudinë më të madhe e patëm, me gotat e verës.Të jesh i zhytur në fund të detit e të pish dhe verë, qoftë dhe një gotë aq sa ishte racioni ditor, si për kuadrot dhe detarët, na u duk si gjë e jashtëzakonshme, ose si ka mundësi që dhe në thellësi të mëdha të pihet verë?!
Ne nuk filluam të pimë, me justifikimin se; nuk e pimë kurrë, por më shumë nuk po e pinim nga frika dhe çudia!!!
Më vonë u sqaruem se nën ujë, në organizmin e nënujsave, si rezultat i mikroambientit, mund të krijoheshin flluska ajri në gjak, të rrezikshme për jetën, dhe që një gotë verë dhe vetëm një gotë, shërbente për të eliminuar këto flluska të rrezikshme. E pimë dhe ne.
Lundronim në thellësi në perëndim të Sazanit, në thellësinë 40 metra. Mbretëronte një rregull e disiplinë, që zor se mund të gjendej diku tjetër. Komandanti jepte variante të ndryshme. Ne çuditeshim e tek i kishim mbërthyer sy e mëndje te ai, Rexhepi tha: “Sa i qutë ky njeri! Ku i dinë gjithë këto gjana ky njeri”?!
Nëndetësja herë zhytej e, herë dilte në thellësi të ndryshme, herë anohej majtas a djathtas, herë merrte diferent në bash apo në kiç, për të stërvit efektivin për ta mbajt nëndetësen në pozicione të ndryshme lundrimi nën ujë. Ne çuditeshim e mbaheshim ku të mundnim.Më të rinjtë në nëndetëse, ishim ne, si nga mosha, pa le nga vjetërsia në anije, dita e parë e lundrimit. Kuadrot dhe detarët, me seriozitetin, disiplinën e përkushtimin maksimal në kryerjen e detyrave, na bënë për vete.
Kuriozitet, ngarkesë psikologjike të përzier me emocion, frikë e ankth. Shikonim e ndiqnim çdo komandë, çdo veprim, çdo lëvizje, çdo marinar dhe jeta e efektivit, na u duk heroike. Kishim humb nocionin e kohës edhe pse sytë shpesh na shkonin, sa te thëllësimatsi, aq dhe te ora.
Na thirri në postin qendror komandant Aleko dhe buzagaz, me njërin sy të salduar në periskop, tek vrojtonte në sipërfaqe të detit, na pyeti: “Hë djema! Si ju duk lundrimi? A u lodhët, a u mërzitët? Është e vështirë jeta dhe lundrimi në nëndetëse, por çdo gjë do të kalojë e, shpejtë do të aftësoheni edhe ju për drejtimin e nëndetëses, të organeve luftarake të saj” – na dha zemër ai. – “Dhe ne kemi lundruar një here, për herë të parë në nëndetëse”.
Na hoqi si me dorë lodhjen dhe ankthin. “Ja për pak do dalim në sipërfaqe dhe do të kthehemi në bazë. Tani o qëndroni këtu ose, shkoni nëpër lokale” dhe komandoj prerë: “Bocman dil! Hambarist, shfry mezin”!
Dhe nëndetësja mori përpjetë me bashin lart, për të dalë në sipërfaqe. Në fytyrat tona u end gëzimi i daljes gjallë, nga thellësia ku ishim. Dolëm dhe ne në urën e komandimit pas komandantit dhe nga drita e diellit, filluam të picërojmë sytë.
U mbushëm me ajrin e freskët. Nëndetësja rrëshqiste mbi dallgë, a thua se edhe ajo po gëzohej se po kthehej në bazë, duke lënë mbrapa vazhdën e saj dhe shkumën e bardhë. Dukesh krenare nëndetësja, krenarë efektivi por edhe ne u ndjemë krenarë që lundruam dhe u bëmë pjesë e këtij efektivi luftarak e heroik. Në mëngjes hymë në nëndetëse të rinj e dolëm burra, hymë me ankth e frikë e dolëm trima, dolëm më atdhetarë se në mëngjes. Atë ditë u pagëzuam me emrin e nderuar: “Nënujës”! / Memorie.al







