Nga Marsela Topi/ Naftëtarët e “Bankers” në Marinzë kanë hyrë në ditën e 14-të të grevës së urisë. Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të naftëtarëve të grevës së urisë ka bërë që numri i tyre të reduktohet në 7- të.
Grevisti Dritan Rrapushi ka pohuar se pavarësisht tkurrjes ata do të vazhdojnë kauzën deri në fund madje do të denoncojnë publikisht abuzime të kompanisë “Bankers Petroleum”.
“Do të denoncojmë mbi kompaninë shumë gjëra që ata që nuk i kanë zbatuar. Nëse inspektoriati nuk i nxjerrin do i demaskojmë të gjithë. Është një luftë që do të vazhdojë deri në fund. Nuk jemi këtu për të shpëtuar shtetin, por punëtorët”, shprehet ai.
Ndërkohë një prej grevistëve që ka lënë grevën e urisë Eduart Selami, vijon të jetë i pranishëm pranë tyre.
“Ne presim mbështetje nga shteti ka thënë ai. Shteti ynë ose është me ne ose me kinezët, nuk po na mbështet asnjë lloj institucioni, përveç mediave. Ata po rezistojnë shumë, po bëjnë sakrificë të madhe. Po kërkojmë një të drejtë që na është mohuar prej vitesh. Ne jemi të fortë dhe do të mbrojmë kauzën tonë”, tha ai.
Prej 18 vitesh operator në fushën naftëmbajtëse, Nikolin Alushaj pohon se në gati dy dekada ka përfituar një rritje page prej vetëm 7 mijë lekësh. Paga që na takon është 200 mijë lekë minimalisht thotë ai dhe nuk do reshtim së protestuari me të gjitha format deri në plotësimin e kërkesave tona.
“Të gjitha këtu janë thënë. Shpresojmë të kemi një përgjigje të mirë për të dyja palët. Gjithçka lidhet me pagesën. Nëse nuk paguhesh të bie edhe dëshira për të punuar. Kam 18 vite përvojë, kam pasur një rritje vetëm prej 7 mijë lekësh. 2 milionë lektë të vjetra do të ishte një pagë minimaliste për ne”, thotë ai.
Ndërkohë ende asnjë negociatë nuk duket në horizont ndërsa kompania në vendburim vijon punën normalisht.
Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh.












