Home Kulturë ‘’Vikamat e Trojamës’’/Refleksione mbi librin poetik të autorit Fran Ukcama – Nga...

‘’Vikamat e Trojamës’’/Refleksione mbi librin poetik të autorit Fran Ukcama – Nga Ilirjan Gjika

357

Duke ju falenderuar dua të them se është privilegj për mua që ndodhem këtu, midis miqsh në Tiranë, për të folur rreth vëllimit të fundit të poetit dhe shkrimtarit Fran Ukcama, ‘’Vikamat e Trojamës’’.

Mendoj se e njoh mirë veprimtarinë krijuese të autorit duke nisur prej vitit 2002, ku pas një periudhe të shkurtër largimi nga vendi (1997-2002), ai u rivendos përsëri në Fier, qytetin ku jeton edhe sot, duke ju përkushtuar pasionit të tij të jetës: Letërsisë.

Sipas një statistike të thjeshtë deri në vitin 2002, Fran Ukcama, kishte botuar tre vëllime me poezi, ‘’Fëshfërijnë kallinjtë e grurit’’, ‘’Shqiponjat e Bjeshkës’’ dhe ‘’Ëngjëjt luajnë me mua’’, përkatësisht në vitet 1986, 1996 dhe 2000. Pas këtij caku kohor do të vinte romani i tij për fëmijë, “Postieri i zemrave’’, të cilin do ta pasonin me dhjetra vepra të tjera letrare të gjinive të ndryshme, për fëmijë dhe për të rritur.

Ndërsa libri që po prezantojmë sot është vepra e 57 në korpusin e përgjithshëm krijues të këtij autori. Duhet theksuar se krijimtaria e Fran Ukcamës përfshin në vetvete poezinë, prozën, dramaturgjinë dhe publicistikën historike.

Kështu, një prej njohësve të mirë të saj studjuesi i letërsisë nga Kosova, Dr. Faik Shkodra, thekson midis të tjerave për këtë shkrimtar, se ai: ‘’Është parashikues i prurjeve dhe shtigjeve të reja’’.

Mbi këtë bazë, duke e ilustruar edhe me titullin e njërit prej librave të tij, “Udhëtoj në visaret e këngëve’’, mund të themi se Fran Ukcamës i pëlqen të ‘’udhëtoj’’ artistikisht sa në njërën gjini dhe po aq edhe në tjetrën, në fushën e letërsisë.

Kështu ai shfaqet përsëri përpara lexuesit me poezi, me të cilën është prezantuar që në fillim si krijues dhe që dominon nga gjinitë e tjera të trajtuara në librat e tij.

Ndërkohë që ‘’Vikamat e Trojamës’’ është një libër me 117 krijime të cilat autori i quan poema-elegji. Në të mbizotërojnë kryesisht poezitë kushtuar figurave historike të kombit, krahinave të Kosovës dhe Çamërisë, vendlindjes së tij, Nikaj-Mërturit, burrave të shquar të kësaj treve kreshnike, miqve dhe njerëzve të afërt të familjes, etj.

Me dhimbje ai i thur këtu vargje elegjike edhe nënës, të cilën në poezinë ‘’Unë jetimi më i madh në botë’’, e quan Ajkuna, ndërsa veten si Omeri. Një evokim i ‘’Eposit të Kreshnikëve’’, ku tashmë është ai-poeti në rolin e Omerit që vajton të ëmën, Ajkunën.

Po kështu, Ukcama, nuk lë pa përmendur në vargje edhe njërin prej miqve të tij më të ngushtë, të ndjerin Ndoc Mulaj, i cili vite më parë do ta shoqëronte shkrimtarin deri në Pejë të Kosovës, atje ku autoritetet vendore do të prezantonin romanin e tij: ‘’Baca i Myqesesë dhe Dardani i Reçakut’’.

Ndërkohë që autori është i ndjeshëm edhe ndaj njerëzve të tjerë, të njohur dikur në vendlindjen e tij në Tropojë, apo në Fier, të cilët i kujton me respekt nëpërmjet vargjeve dedikuese. Por poezia e Fran Ukcamës ka disa specifika origjinale. Si poet ai krijon aty për aty, në çast.

Ashtu siç e merr ngacmimin së jashtëmi dhe me ndjesinë e brendëshme, poeti, i hedh menjëherë vargjet. Një gjë të tillë e bën në mënyrën më të shkujdesur, pa respektuar shumë rregullat metrike, me një vargëzim të përzjer, pa i mëshuar shumë tonalitetit apo theksit ritmik. Edhe më pas, në tryezën e punës ai nuk ndjek proçesin e përpunimit dhe redaktimit të mëtejshëm të tekstit fillestar.

Për të si krijues, ka më shumë rëndësi tematika e trajtuar dhe mesazhi që përçon. Kjo e bën poezinë e Fran Ukcamës tejet njerëzore dhe të afërt me lexuesin. Një gjë e tillë shihet te titujt, të cilët janë konkret, dedikues dhe ku shpesh mungojnë metaforat, siç ndodh rëndom me poezinë.

Si lirik i lindur, autori, shkruan jo vetëm në shqipen letrare por edhe në dialektin gegë, apo shpeshherë duke i përzjerë të dyja format dhe idiomat. Një gjë e tillë e bën më të pasur gjuhën shprehëse dhe më të larmishme krijimtarinë e tij. Pikërisht këto ishin disa refleksione rreth krijimtarisë së tij dhe librit ‘’Vikamat e Trojamës’’, apo Trojës, siç e quan vendlindjen e tij, Nikaj-Mërturin.

Së fundmi dëshiroj ti uroj poetit dhe shkrimtarit Fran Ukcama, apo ‘’Ukut të thinjur fushës’’ siç i pëlqen atij ky dedikim, jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe krijimtari më të begatë artistike.

* Fjala e mbajtur në prezantimin e librit “Vikamat e Trojamës. Tiranë, 26 tetor 2025