“Flinte te Plaza vetë qeni, por do ta kap” – Ish-gjyqtarja porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra
SPAK doli me njoftim zyrtar për megaoperacionin e zhvilluar këtë të hënë. Pas hetimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Sipas dosjes, ish-gjyqtarja e arrestuar Pajtime Fetahu ka porositur bandat e Elbasanit për të goditur drejtuesin e emisionit “Stop”, gazetarin Saimir Kodra, i cili ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin e organizuar si dhe vendimet e saj korruptive.
Një nga anëtarët e grupit kriminal i ka vendosur gjyqtares në dispozicion një telefon SkyEcc, e cila përmes këtij telefoni ka komunikuar me personazhe të tjerë të krimit, duke porositur goditjen e gazetarit.
“XXX i bën me dije gjyqtares Pajtime Fetahu se ka dashur ta dëmtojë Saimir Kodrën, drejtues i emisionit investigativ “Stop”. Por në pamundësi për ta gjetur atëherë miqtë e tij, XXX dhe XXX, të cilët dyshohet se janë XXX. dhe XXX, kanë djegur banesën e prindërve të tij (Saimir Kodrës).
Nga biseda dyshohet se gjyqtarja Pajtime Fetah ka një shqetësim në lidhje me drejtuesin e emisionit “Stop” për të cilin personi me të cilin kjo flet thotë se do të hakmerret ndaj tij dhe shprehet se për atë që i ka bërë asaj do ta paguajë 10-fish”, thuhet në dosje.
“Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish.
Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht” – ishte mesazhi që kishte marrë gjyqtarja.