Apolonia ka qenë klubi më i qetë në merkaton e verës, pasi afrimet në kampin fierak kanë qenë të pakta. Për këtë arsye dhe falë mbipopullimit të lojtarëve të huaj, kryesisht nigerianë, bardhejeshilët shikoheshin si “urë kaluese” për kundërshtarët.
Por, ky perceptim rezultoi i gabuar që javën e shkuar, ku skuadra e drejtuar nga trajneri serb, Marko Jovanoviç, i dha leksion Besës, që shikohet si pretendent kryesor në Kategorinë e Parë. Trajneri i ri i Apolonisë, Marko Jovanoviç, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku foli për aventurën e tij në Fier, për filozofinë e klubit dhe objektivat në këtë sezon.
Serbi thekson se Apolonia ka një projekt serioz, që bazohet te lojtarët e rinj dhe puna afatgjatë, ndërsa nuk e fsheh dëshirën për ta rikthyer sa më shpejt skuadrën në elitën e futbollit shqiptar. Trajneri e shikon si sfidë Apoloninë, por është i kënaqur me grupin dhe shpreson të realizojë ëndrrën e tij personale.
Marko, mund të na thoni diçka rreth aventurës suaj tek Apolonia, si u arrit marrëveshja?
Për mua, Apolonia është një sfidë e madhe. Ne kemi qenë në negociata disa herë gjatë viteve të shkuara, por nuk arritëm të përputheshim. Kur klubi kishte nevojë për trajner, unë isha nën kontratë, dhe kur unë isha i lirë, klubi tashmë kishte trajner. Këtë herë gjithçka u kombinua dhe u realizua. Pashë ambicien e klubit dhe dëshirën për të ecur përpara. Në bisedat me drejtuesit ndjeva menjëherë besim dhe seriozitet, gjë që më mjaftoi për të pranuar ofertën.
Jeni i kënaqur me skuadrën dhe pse klubi nuk ishte shumë aktiv në merkato?
Jam i kënaqur me skuadrën sepse kemi lojtarë të rinj dhe me talent, të cilët duan të përmirësohen. Të gjithë kanë kaluar nëpër një proces skautimi të klubit dhe kanë potencial të madh. Arsyeja pse nuk ishim shumë aktivë në merkato është filozofia e klubit, t’u jepet mundësi lojtarëve të rinj dhe të ndërtohet gradualisht një skuadër e qëndrueshme, jo thjesht zgjidhje afatshkurtra. Skuadra është shumë e re, por me një potencial serioz që do të rritet me kohën.
Të shtunën Apolonia fitoi ndaj Besës. Si e komentoni këtë ndeshje?
Jam krenar për djemtë sepse treguan karakter. Fitorja ndaj Besës ishte shumë e rëndësishme, jo vetëm për pikët, por edhe për besimin tonë. Ishte një ndeshje e vështirë, por ne besuam dhe fituam me meritë. Kur ke një skuadër të re, do të ketë gjithmonë ulje-ngritje në lojë dhe rezultate. Ne mund të fitojmë me këdo, siç bëmë me Besën, të barazojmë dy herë me Bylisin, por edhe të humbasim pikë me skuadra më pak të forta. Detyra jonë është të punojmë e të luftojmë gjithmonë dhe jam i sigurt se do të kemi një sezon të suksesshëm.
Cili është objektivi juaj si trajner dhe i Apolonisë si skuadër?
Objektivi im është të zhvilloj skuadrën, të përmirësohemi javë pas jave dhe të krijojmë një stil loje të dallueshëm. Si skuadër, synimi është të jemi konkurrues me çdo kundërshtar dhe të rritemi çdo ditë. Në planin afatgjatë duam stabilitet dhe një vend në Superiore.
Çfarë i nevojitet më shumë Apolonisë?
Ajo që na duhet është kohë dhe durim. Kam mbështetjen e klubit në gjithçka. Apolonia është një nga klubet më të organizuara dhe ndoshta me potencialin më të madh për sa i përket lojtarëve të rinj. Pra, kam gjithçka që më duhet. Është detyra ime, me punë dhe përkushtim, të shfrytëzoj këtë potencial për të arritur rezultatet dhe objektivat e klubit.
A është ekipi juaj gati të luftojë këtë sezon për Superioren, apo i druheni rivalëve?
Ne jemi gati të luftojmë. Do të përpiqemi të luajmë me qetësi dhe disiplinë, ndeshje pas ndeshjeje, pa ushtruar presion mbi rezultate. Synimi është të rritemi si klub. Dëshira ime personale është të udhëheq këtë skuadër drejt Superiores.
5 sezone
ka Apolonia larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2020-2021. Ecuria e viteve të fundit ka bërë që fierakët të vazhdojnë të jenë larg elitës.
ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL












