Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi sot propozimin për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Në mbledhjen e sotme këshilli bashkiak votoi me 50 vota pro miratimit të propozimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt.
Kërkesa për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj u depozitua nga anëtarët socialistë të këshillit bashkiak, bazuar në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës, e cila kishte si pikë të vetme të rendit të ditës shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj u shoqërua me debate dhe qëndrime të ndryshme mes këshilltarëve.
Anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak u shprehën se nuk duhej marrë ky vendim pa u dëgjuar më parë vetë kryebashkiaku Veliaj.
Në fjalën e saj hapëse, kryetarja e këshillit bashkiak, Megi Fino, tha se vendimi i sotëm imponohej nga nevoja urgjente e qytetit për të pasur një drejtues.
Fino tha se “nuk është rastësore që qytetarët e Tiranës i kanë rinovuar besimin tre herë. Por tani është momenti për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës duke kryer detyrimin politik dhe moral”.
Këshilltari i Partisë Socialiste, Endrit Braimllari, tha se “vendimi për shkarkim nuk është një gjyq ndaj kryebashkiakut, por një domosdoshmëri për shkak të interesit qytetar. Detyra jonë është të flasim për interesin qytetar, detyra jonë si të zgjedhur është të ngremë shqetësimin kur punët nuk shkojnë siç duhet”.
Këshilltari bashkiak i opozitës, Genc Gjokutaj, tha se “votimi jonë pro është i njëjtë në formë me votimin tuaj, por ndryshon katërcipërisht në përmbajtje: ju doni ta shkarkoni Veliajn se zbatoni urdhra politikë, ndërsa vota jonë pro është për interesin e qytetarëve”.
Vendimi i sotëm për shkarkimin e Veliajt, i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Ky vendim i marrë sot nga këshilli bashkiak i Tiranës i kalon Prefektit dhe ky i fundit ia dërgon Këshillit të Ministrave, i cili vendos shkarkimin përfundimtar të Veliajt dhe më pas vihet në lëvizje KQZ për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Veliaj ka 15 ditë kohë për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të bashkisë Tiranë.












