Home Aktualitet Psikologia fierake jep alarmin, më shumë u drejtohen magjistarëve sesa psikologut

    Psikologia fierake jep alarmin, më shumë u drejtohen magjistarëve sesa psikologut

    2414

    Nga Ilva Mile / Stigma dhe besimi te shëruesit mistik në Shqipëri

    Në kulturën shqiptare, stigma që rrethon kërkimin e ndihmës nga profesionistët e shëndetit mendor ecën krah për krah me normalizimin e besimeve dhe frekuentimin e magjistarëve, fallxhorëve, parashikuesve apo shëruesve mistikë.

    Pavarësisht bindjeve personale, vizitat tek këta “shërues” janë kaq të zakonshme, sa pak janë ata shqiptarë që nuk e kanë menduar të paktën një herë se mund të gjejnë ngushëllim në këto metoda.

    Shumë njerëz i drejtohen magjistarëve kur ndihen të bllokuar në një aspekt të jetës, si p.sh. kur nuk arrijnë të jenë të suksesshëm në karrierë apo kur hasin vështirësi në gjetjen e një partneri të përshtatshëm.

    Shumë shpesh, këta “magjistarë” i bindin klientët se pengesat që përjetojnë janë si pasojë e magjisë dashakeqe apo forcave të jashtme, gjë që rrit ankthin dhe rëndon gjendjen emocionale.

    Tendenca për t’i besuar më shumë metodave mistike sesa ndihmës së psikologut lidhet me faktin se është më e lehtë të atribuohet çdo problem i jetës së përditshme faktorëve të jashtëm sesa të pranohet se sfidat në marrëdhënie lidhen me komunikimin, mungesën e vetëbesimit, pasigurinë, xhelozinë apo traumat e së kaluarës.

    Në përpjekje për zgjidhje “të menjëhershme”, shumë njerëz rrezikojnë të përkeqësojnë gjendjen e tyre duke refuzuar të ndërgjegjësohen dhe të adresojnë problemet reale — probleme që mund të trajtohen më së miri përmes psikoterapisë.

    Nuk janë të rralla rastet kur ankthi apo shqetësimet emocionale kanë agravuar vetëm për shkak të përdorimit të metodave të dyshimta dhe jo serioze.

    Mungesa e ndërgjegjësimit, stigma dhe turpi që lidhen me kërkimin e ndihmës psikologjike janë të prekshme dhe pjesë e kulturës tonë.

    Dëmi emocional dhe financiar që shkaktojnë sharlatanët mund të parandalohet përmes politikave edukative dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe mirëqënies emocionale.