Home Lajme nga Fieri Jovanoviç vlerëson talentin 16-vjeçar Alvin Mahmutaj pas kualifikimit ndaj Lushnjes

Jovanoviç vlerëson talentin 16-vjeçar Alvin Mahmutaj pas kualifikimit ndaj Lushnjes

504

Apolonia siguroi kualifikimin në raundin e tretë të Kupës së Shqipërisë pas fitores 3-2 ndaj Lushnjës, takim i cili u luajt në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

Trajneri Marko Jovanoviç, i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në derbein e Myzeqesë, vlerësoi lojën sulmuese dhe kontributin e të rinjve, veçanërisht talentit 16-vjeçar Alvin  Mahmutaj.

Për “Panorama Sport”, ai dha këtë prononcim pas kualifikimit të djeshëm kundër Lushnjës: “E përgëzoj skuadrën për arritjen në 1/8-at e Kupës. Ne zhvilluam një ndeshje vërtet fantastike, e kontrolluam lojën për 90 minuta dhe mbajtëm presion të lartë, gjë që kërkoi shumë përpjekje fizike dhe taktike. Krijuam shumë raste shënimi dhe është për të ardhur keq që shënuam vetëm tre gola, pasi rezultati mund të kishte qenë edhe më bindës për ne.

Sulmuesi Mahmutaj

Dua të veçoj 16-vjeçarin Mahmutaj, i cili la gjurmë me një gol dhe një asist. Me pak më shumë fat, mund të kishte realizuar edhe dy gola të tjerë, por portieri kundërshtar bëri dy pritje fantastike. Jam i lumtur që lojtarët e rinj morën shansin e tyre dhe treguan se klubi mund të llogarisë seriozisht mbi ta.

Në minutat e fundit pësuam dy gola që nuk duhej të ndodhnin, por kjo është pjesë e procesit të mësimit dhe zhvillimit, sidomos duke pasur parasysh se ndeshja u mbyll me disa lojtarë nga akademia, kështu që gabimet janë të kuptueshme. E rëndësishmja është që arritëm objektivin dhe kaluam më tej. Tani i kthehemi ndeshjeve të radhës në kampionat, me synimin të rritemi si skuadër nga ndeshja në ndeshje.”