Skema, si drejtori i shkollës shiste kokainë
Dashamir Mehmeti, drejtori i shkollës artistike “Jani Kukuzeli”, i shpallur në kërkim nga policia si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike, rezulton të ketë patur zonat e tij të influencës ku shpërndante kokainën.
Konkretisht bëhet fjalë për zonat si ajo e Ilirisë, Plazhit si dhe e Hekurudhës. Këtë aktivitet ish-drejtori i shkollës e kryente i vetëm, duke qenë se dispononte makina me qira, përmes të cilave bënte dhe shpërndarjen e dozave të kokainës.
Mehmeti shiste deri në 30 doza kokaine në ditë, teksa veprimtaria kriminale e tij u faktua nga policia përmes blerjeve të stimuluara nëpërmjet agjentëve të Antidrogës në 3 raste.
Krahas kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e tij, policia e Durrësit po kryen verifikime nëse aktiviteti kriminal i Dashamir Mehmetit, ishte shtrirë edhe brenda shkollës ku ai ushtronte detyrën.
Për këtë arsye grupi hetimor është në pritje të zbërthimit të celularëve të sekuestruar në banesën e tij, për të analizuar kontaktet dhe bisedat telefonike. Mehmetit iu gjet gjithashtu dhe një armë zjarri pistoletë në banesë.
Ndërkohë këtë të hënë gjykata e Durrësit për të 15 të ndaluarit caktoi masat “arrest në burg” për 4 prej tyre, 7 u lanë në arrest shtëpie dhe 4 të tjerët me detyrim paraqitje.
Tv Klan