Lajme

Tetori Rozë, Koçiu dhe Balluku apel grave të Fierit: Parandalimi shumë më efikas se kurimi, kontrolle falas pa sistem referimi

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku morën pjesë sot në aktivitetin ndërgjegjësues me gra të punësuara pranë kompanisë “Yura” në Fier.

Cest la vie

Kjo ndërmarrje koreane e cila ka nisur të operojë prej vitit 2019 me statusin e investitorit strategjik, tashmë ka 1903 të punësuar ku 120 prej tyre janë gra. Në kuadër të Tetorit Rozë, për punonjëset e kësaj kompanie u mundësua kryerja e mamografisë nëpërmjet njësive të lëvizshme.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu tha se këto njësi të lëvizshme po i shtrijnë në të gjithë vendin, edhe në zonat më thella rurale aty ku gruaja shpesh merret me punët e përditshme duke e lënë veten pas dore.

“Po i çojmë aty ku është e pamundur për të aksesuar lehtësisht një qendër shëndetësore, një spital bashkiak apo rajonal dhe janë mundësia më e mirë për t’i ofruar grave, vajzave, zonjave diagnostikim për të kapur në kohë një sëmundje që për fat të keq është një sëmundje që po përhapet shpejt. Lajmi i mirë është që mbi 90% e rasteve që kapen shpejt në kohë janë plotësisht të kurueshme. Kështu që jo pa qëllim i dedikojmë një muaj të tërë ndërgjegjësimi, por që ky ndërgjegjësim nuk do duhet të jetë vetëm në tetor. Do të duhet të jetë përgjatë çdo dite të vitit”, theksoi Koçiu, duke shtuar se njësitë e lëvizshme të mamografisë do të jenë në dispozicion gjatë gjithë muajve të vitit.

Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe të investimet e bëra nga qeveria dhe MSHMS në spitalet rajonale ku janë mundësuar njësitë e mamografisë dhe të gjitha gratë mund të kryejnë vizita falas si dhe janë fuqizuar kapacitetet kuruese. Koçiu tha gjithashtu se përgjatë të gjithë muajit, nga e hëna në të premten, kontrollet do të ofrohen pa pasur nevojë për të kaluar paraprakisht në sistemin e referimit nga ora 08:00-20:00.

“Por jo vetëm njësitë e mamografisë, por kemi dhe terapi. Nuk është më sot vetëm kimioterapia ajo kura tradicionale për të luftuar këtë sëmundje. Sot kemi radioterapitë, imunoterapitë që janë gjithashtu trajtime inovatore të cilat mundësojnë mësë miri kurimin e kësaj sëmundje. Ne e kemi hapur gjatë gjithë muajit tetor pa sistem referimi, pikërisht për të lehtësuar sa më shumë mundësinë për të aksesuar mamografitë dhe oraret janë të zgjatura. Nëpërmjet e-Albania kemi bërë të mundur që të merrni një mesazh në portofolin “dokumentet e mia” që do duhet të bëni diagnostikimet, vlerësimet dhe kontrollet periodike. Për të lehtësuar akoma më shumë edhe vlerësimin e ekzaminimeve, kemi krijuar një ekip të posaçëm me radiolog të cilët bëjnë vlerësimet në kohë reale dhe do t’jua japin dhe përgjigjet e këtyre diagnostikimeve në kohë reale”, theksoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e konsideroi të rëndësishëm zhvillimin e këtij aktiviteti ndërgjegjësues për mbrojtjen e shëndetit të grave: “Kujdesi për shëndetin e grave duhet të jetë i vazhdueshëm dhe çdo ditë të vitit sepse një grua nuk mban përgjegjësi vetëm për shëndetin e saj. Një grua është përgjegjësi për familjen e saj, për fëmijët dhe për prindërit. Kështu që sa herë e lini veten pas dore, kujtohuni sa persona keni në përgjegjësinë tuaj dhe këtu flas vetëm për familjen, nuk flas edhe për ato që ndërtojnë çdo ditë punën, ekonominë dhe që drejtojnë sektorë, ndërmarrje”.

“Është kënaqësi që të jemi këtu sot pasi bëhet fjalë për një nga ndërmarrjet më të mëdha të prodhimeve elektrike. Kjo është ndërmarrja koreane “Yura” e ndërtuar këtu në Shqipëri duke filluar nga vit 2018 kur ka nisur procesi aplikimit për investitorin strategjik dhe ne jemi shumë krenarë për këtë ndërmarrje pasi ka filluar me një numër të vogël punonjësish dhe sot ka 1903 punonjës, prej të cilave kemi 120 zonja që operojnë këtu dhe kjo na bën akoma më të përgjegjshme dhe ndaj zgjodhëm që me njësitë tona lëvizëse të depistimit të gjirit, mamografisë, të vinim tek “Yura”. Kërkesa në qarkun e Fierit ka qenë shumë e lartë këtë vit për këto njësi depistimi prandaj do vazhdojmë edhe në muajt në vazhdim”, theksoi Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “OBSH e klasifikon sëmundjen e kancerit të gjirit si shkakun e dytë të vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare megjithëse Shqipëria renditet përsa i përket rasteve, një nga vendet me rastet më të ulëta në botë. Parandalimi përmes depistimit, mamografisë është shumë më efikas se kurimi dhe shërimi”.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku përfundoi duke u drejtuar një mesazh të gjitha grave që të kryejnë kontrollet periodike dhe ky sensibilizim të mos jetë vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë gjithë vitit: “Këtu në spitalin rajonal të Fierit janë të gjitha mundësitë për t’u bërë depistimi gjatë gjithë vitit. Sigurisht gjatë muajit tetor oraret janë shumë më të shtrira nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20.00 të mbrëmjes, por ju e keni në dispozicion tuaj vetëm me kartën e identitetit gjatë gjithë vitit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button