Sport

Apolonia në situatë delikate, kalendari e bën “maloren” edhe më të fortë

Nga Hilmi Saliu/ Sikur të mos mjaftonin rezultatet zhgënjyese në transfertë, me dy humbje radhazi ndaj rivalëve direkt si Pogradeci e Kastrioti, dhe me vetëm 15 pikë në 13 javë të luajtura, “maloren” për Apoloninë e bën edhe më të fortë kalendari në katër javët e ardhshme.

Dy nga katër ndeshjet e ardhshme skuadra e trajnerit Sedat Pajaziti do t’i zhvillojë në transfertë, ku dihet që shkalla e vështirësisë është më e madhe. Mjafton të përmendim faktin se deri tani fierakët kanë marrë vetëm shtatë pikë në shtatë ndeshjet e luajtura jashtë fushës së tyre. Kjo ka bërë që ekipi të qëndrojë në vend të 7-të. Kalendari i “ferrit” për Apoloninë nis pikërisht këtë fundjavë, kur do të ndeshet me Kukësin në Fier. Kjo ndeshje është e vlefshme për javën e 14-ë të kampionatit dhe Kukësi është një rival direkt për fierakët në këtë moment. Pas Kukësit, vjen një transfertë e vështirë për fierakët, të cilët do të përballen me Lushnjën, një tjetër rival direkt që në fakt në javën e katërt të kampionatit mori tri pikë në Fier.

Pastaj vjen ndeshja e dytë në Fier për këto 4 javë, por edhe ajo është shumë e vështirë, sepse kundërshtar do të jetë Flamurtari, pretendent kryesor për t’u ngjitur në elitë. Dhe për të vazhduar pastaj me transfertën e dytë, në Rrogozhinë ndaj Besës. Këto do të jenë 360 minuta shumë të vështira për Apoloninë, sepse dy kundërshtarë kanë pretendime për të qenë në “play off” dhe dy të tjerë kanë pretendime për kreun e tabelës. Në kampin fierak është e qartë se situata është mjaft delikate, por ndeshjet duhen marrë me radhë dhe me qetësi. Tani vëmendja është vetëm te Kukësi, ku një rezultat pozitiv do të thoshte shumë për të besuarit e trajnerit Pajaziti, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin.

Stërvitja- Apolonia ka zhvilluar dje në mesditë seancën e radhës stërvitore nën drejtimin e trajnerit Sedat Pajaziti dhe stafit teknik. Përgatitjet në fushë kanë vijuar me intensitet të lartë për takimin e së shtunës ndaj Kukësit. Kryetrajneri Pajaziti në takimin e parë që ka pasur me lojtarët në fillim të seancës së djeshme stërvitore, u ka kërkuar të tijve të vlerësojnë në maksimum këtë ndeshje ndaj kuksianëve, që janë kandidatë për gjashtëshen e parë në renditje. Ai ka shtuar se në këtë ndeshje lojtarët kanë shansin të tregojnë vlerat e tyre përballë një rivali mjaft të vështirë.

Apolonia po përpiqet të qëndrojë sa më pranë gjashtëshes dhe për ta bërë këtë duhet të ndalë edhe skuadrat poshtë saj në renditje. Sa i përket seancës së djeshme, gjithçka nisi me një nxehje rreth fushës, për tu ushtruar më pas me ushtrime për muskujt dhe veprime atletike. Stërvitja vijoi me kuadrat me vetëm dy takime, teksa dy lojtarë qëndronin në mes. Ky moment i stërvitjes shkaktoi edhe ilaritet e grintë mes lojtarëve. Nuk u vonua shumë dhe Pajaziti i vendosi lojtarët të zhvillonin një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë. Në këtë moment ai u përqendrua më së shumti në aspektin taktik, si parapërgatitje për Apoloninë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
https://www.profitablecpmrate.com/m33rat8hk?key=97ac07e1ef6a52b1728c48b1aeff1dbd