Valbona e Apolonia ndajnë pikët. Pajaziti i pakënaqur me lojtarët
Valbona e Apolonia kanë dhuruar spektakël në Tropojë, përpara 200 shikuesve, që ishin të pranishëm në stadiumin “Vëllezërit Gega”. Sfida nuk ka prodhuar fitues, por barazimi iu përgjigj lojës së të dyja skuadrave. Të parët kaluan në epërsi miqtë nga Fieri me anë të Trifonit, në minutën e 58-të.
Më pas kanë barazuar vendasit e Valbonës nga pika e bardhe e penalltisë me anë të ish-sulmuesit të Apolonisë, Jeton Krasniqi. Takimi u zhvillua në një terren e mot shumë të mirë.
NDESHJA- Tropojanët e nisin vrullshëm, ku Llanaj që në minutën e tretë ka mundësi të shënojë, por portieri Kaçaj u treguar pozicional. 5 minuta më vonë, sërish Llanaj godet portën, por jashtë. Në të 26-ën, Balla kroson nga këndi. Harkimi i tij shkon drejt rrjetës, por Kaçaj fluturimthi nxjerr topin në këndore. Minuta që flasin për një epërsi të Valbonës, por pa mundur që të gjejë golin. Në fund të kësaj pjese, zgjohen fierakët dhe tregohen mjaft të rrezikshëm. Në të 41-tën, rrezikon Musa, që godet traversën. Në të 45-ën, Apolonia gjen golin me Umejiego, por para se të godiste topin me kokë sulmuesi ka shtyrë me duar kapitenin Mashi të Valbonës. Goli u anulua, pasi para se të godiste topin është dëgjuar vërshëllima e gjyqtarit Prengaj, që akordon faull në favor të Valbonës.
Loja është më e gjallë në pjesën e dytë nga të dyja ekipet. Në minutën e 58-të fierakët kalojnë në epërsi duke zhbllokuar rezultatin me anë të Trifonit, i cili mori një pasim në formë krosi nga Ndubuisi dhe i vetëm me portierin ka gjetur krahun e djathtë që ishte bosh, duke dërguar topin në rrjetë. Loja ndizet. Janë vendësit, të cilët pas katër faulleve, arrijnë te goli i minutës së 75-të. Uahab tregohet mjaft teknik dhe si shigjetë vërsulet drejt zonës fierake, ku Topi nuk ka mënyrë tjetër frenimi përveçse në mënyrë të gabuar. Kryesori Prengaj shumë pranë aksionit drejton dorën te pika e penalltisë. Jeton Krasniqi, që kishte deklaruar se do t’i shënonte Apolonisë, e merr përsipër goditjen dhe shënon duke barazuar shifrat në 1-1. Minutat e mbetura nuk prodhojnë gjë ndryshe dhe gjithçka mbyllet në shifrat 1-1.
VALBONA – APOLONIA 1-1
GOLAT: Krasniqi 75’(p) / Trifoni 58’
VALBONA: Hoxha, Mashi, Lamçe, Farruku (Alinani 60’), Berberi (Kamilo 60’), Balla (Zeqiraj 46’), Uesley (Vidrica 70’), Lala, Uahab, Llanaj (Udo 60’), Krasniqi;(Në dispozicion: Marku, Doçi, Aluku, Jetishi). Trajner: Emiliano Gega
APOLONIA: Kaçaj, Hebeja, Ndubuisi, Kofi (Kananaj 89’), Topi, Asllanaj, Jasin, Trifoni, Musa (Bejzade 62’), Maksuti, Umejiego;(Në dispozicion: Bushi, Repaj, Çidozie). Trajner: Sedat Pajaziti
Kartonë të verdhë: Zeqiraj 61’, Mashi 77’ / jasin 24’, Maksuti 80’, Bejzade 81’
Gjyqtarë: K. Prengaj (Laç), H. Lisaku (Durrës), E. Cenaj (Tiranë)
Vëzhgues: Gjergj Selala (Laç)
Delegat: Ilir Shordja (Tiranë)
Tropojanët
Gega: Ndeshjet në shtëpi po kthehen në fenomen
Valbona sërish nuk arrin të shprehet lirshëm në shtëpinë e saj dhe kjo u pa edhe ndaj Apolonisë. Emiliano Gega, trajner i Valbonës, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Nuk mund ta quaj një pikë të çmuar, por Valbona humbi dy të tilla të mundshme për objektivin dhe për qëndrimin tonë në Kategorinë e Parë. Jam disi i zhgënjyer nga ky rezultat, pasi prisja nga lojtarët vetëm fitoren. Nuk jemi aspak të kënaqur. Edhe qëndrimi i skuadrës nuk duhej të ishte i tillë, pasi duhet të luanin më lirshëm. Po bëhet fenomen që skuadra jonë në qytetin e Bajram Currit nuk luan ashtu siç e tregon veten jashtë fushës së saj. Ndoshta është një ngërç psikologjik, kur luan para tifozërisë së saj”.
Trajneri
Pajaziti, i pakënaqur me lojtarët fierakë
Trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti, pas pikës së marrë në Tropojë, për “Panorama Sport” deklaroi: “Në Tropojë erdhëm për tri pikët. Kemi pasur disa mungesa të rëndësishme me lojtarë të dëmtuar. Do të mundohemi, që në ndërprerjen e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, të bëjmë më të mirë e të rikuperohen edhe lojtarët e dëmtuar. Pavarësisht nga situata, unë personalisht nuk jam i kënaqur nga loja e lojtarëve të Apolonisë, edhe pse ata mundohen të japin maksimumin, apo më shumë seç duhet nga vetja. Ata nuk janë të koordinuar sa duhet mes vetes dhe do të punojmë shumë në këtë aspekt. Taktikisht, në këto dy javë do të rikthejmë një Apoloni më të fortë dhe shpresoj që do ta bëjmë këtë”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL