Home Aktualitet Rritja e çmimit të energjisë për makinat elektrike, taksitë kërkojnë rishikim vendimi!

    Rritja e çmimit të energjisë për makinat elektrike, taksitë kërkojnë rishikim vendimi!

    302

    Dy javë nga miratimi i kërkesës së Furnizuesit e Shërbimit Universal, që rriste çmimin e energjisë me mbi 57% për karikuesit elektrikë dhe familjarët me shtesë fuqie mbi 11 Kw, ka ardhur kundërshtimi i parë zyrtar ndaj këtij vendimi të Entit Rregullator të Energjisë.

    Bëhet fjalë për një kërkesë të dy shoqatave të taksive në vend, të cilat kanë parashtruar pranë këtij enti mundësinë për rishikim/pezullim të vendimit.

    Enti nuk ka publikuar ende kërkesat dhe pikat me të cilat nuk janë dakord shoqatat por parashikon që kjo të jetë çështja e parë e diskutimit në mbledhjen e radhës së Bordit, ditën e nesërme.

    Mbi shqyrtimin e kërkesave të Shoqatës “Taksitë e Klasit të Parë” dhe Sindikatës Shqiptare të Taksive për pezullimin/rishikimin e vendimit të Bordit të ERE-s nr. 255, datë 15.10.2025, “Mbi përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike në pikat/stacionet e karikimit me fuqi të instaluar mbi 11 kW”, thuhet në pikën e parashtruar në listën e çështjeve në rend dite.

    Vendimi i ERE-s

    Me një vendim të datës 15 tetor, Enti miratoi çmimin e ri për pikat/stacionet e karikimit me fuqi të instaluar mbi 11 kW, që rriste çmimin e energjisë për këto kategori nga 14 lekë që është aktualisht, në 22 lekë/kWh. Ky vendim hyn në fuqi nga data 1 nëntor. Energjia për këto kategori do të paguhet 15% më shumë se çmimi normal, çka rezulton në një tarifë 25.3 lekë/kWh.

    FSHU kërkoi rishikim të çmimit për kategorinë e pikave të karikimit të makinave elektrike dhe të qytetarëve që instalojnë kapacitet mbi 11 KW, në funksion të karikimit të makinave për shkak se rritja e numrit të përdoruesve ka krijuar kosto të lartë te disbalancat.

    Nisur nga të dhëna e analizuar, kosto mesatare mujore e disbalancave mbi plan dhe konsumit mesatar mujor të pikave/stacioneve të karikimit të makinave elektrike arrin në 8 lekë/kwh. Duke marrë në konsideratë parimet mbi të cilat kryhet përcaktimi i çmimeve si: kostoreflektuese, transparente dhe jodiskriminuese, vlerësojmë se kjo kosto duhet të shtohet mbi çmimin e shitjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV meqenëse kosto e disbalancave e planifikuar mbështetur në vlerat e lejuara nga ERE mbulohen nga çmimi 14 lekë/kWh

    Çmimi i ri i energjisë për këtë segment pritet të hyjë në fuqi nga 1 nëntori ndërkohë që mbetet për t’u parë qasja që do të ketë Enti ndaj kërkesës së grupeve të interesit që preken nga ky vendim./Monitor