Home Lajme nga Fieri Nga Berati në Fier, Apolonia “godet” sërish Tomorin duke i hequr nga...

Nga Berati në Fier, Apolonia “godet” sërish Tomorin duke i hequr nga duart “sozinë” e Uzunit

853

Akademia e Futbollit të Apolonisë ka fituar prej kohësh reputacionin e një “fabrike” talentesh, që formon dhe promovon futbollistë të rinj me potencial të madh. Një nga zbulimet më të fundit që po bën bujë në Fier është 15-vjeçari Jurgen Totaj, beratasi që për shumëkënd shihet si pasardhësi i Myrto Uzunit dhe një aset me vlerë të madhe për klubin fierak.

Totaj, i ardhur nga Berati në moshën 13-vjeçare, ka spikatur fillimisht me ekipin U-14 duke shënuar 15 gola në një sezon, dhe aktualisht po shkëlqen me Apoloninë U-17. Pavarësisht një dëmtimi që e ka mbajtur përkohësisht jashtë fushës, talenti i tij ka tërhequr vëmendjen e skautëve vendas e të huaj, duke u cilësuar si një prej premtimeve më të mëdha të futbollit shqiptar të moshave.

Maringlen Kule

Trajneri i ekipit U-17, Maringlen Kule, e përshkruan Totajn si një talent të rrallë që ndjek gjurmët e Uzunit. “Jurgeni është shembull i punës që bën Akademia jonë. Ka ardhur nga Berati dhe po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Është në fazë rikuperimi, por pritet të kthehet edhe më i fortë. Duhet trajtuar me kujdes nga FSHF dhe përfshirë në përfaqësuesen U-16, sepse është një lojtar që mund të humbasë vetëm nëse ne vonohemi”, u shpreh Kule për “Panorama Sport”.

Santiliano Dule

Edhe trajneri i Apolonisë U-19 dhe Apolonia B, Santiliano Dule, nuk kursen superlativat për të riun, i cili për “Panorama Sport” deklaroi: “Totaj është një diamant i vërtetë. Ka cilësi që e tejkalojnë nivelin e kampionatit tonë. Ka interesim nga skautë të huaj dhe shumë shpejt do të ketë kontakte konkrete me klubin. Ai ka potencial për t’u bërë jo vetëm një lojtar i madh, por edhe një figurë që do të sjellë përfitime të rëndësishme për Apoloninë dhe futbollin shqiptar.” Sipas Dules, është momenti që strukturat kombëtare të moshave të tregojnë vëmendje ndaj këtij lojtari, për të mos lejuar që një “xhevahir” i tillë të humbasë jashtë vëmendjes. Në Fier, emri i Jurgen Totajt përmendet çdo ditë e më shpesh, si simbol i brezit të ri që po lind nga akademia Apolonia dhe si dëshmi se puna e strukturuar me të rinjtë vazhdon të japë frytet e saj.

Panorama Sport