Kur flasim për basketbollin në Fier, disa mbiemra mbajnë mbi supe peshën e një historie të tërë suksesesh dhe emocionesh.
Një prej tyre është padyshim familja Semanjaku. Enisa, vajza nga Fieri që sapo mbylli një rrugëtim të jashtëzakonshëm me Kombëtaren shqiptare, mban në venat e saj një trashëgimi të pastër sportive.
Ajo është vajza e ish-basketbollistes së njohur fierake, Kaliopi Semanjaku, dhe motra e ish-basketbollistes tjetër të spikatur, Alketa Semanjaku.

Enisa ka qenë pjesë e asaj skuadre historike të Apolonisë që doli Kampione e Shqipërisë në sezonin e artë 2011-2012.

Ajo sapo ka mbyllur një cikël të artë me Kombëtaren e Shqipërisë, duke u larguar si kapitene, medaliste e argjendtë dhe e përzgjedhur në pesëshen më të mirë të Europës (All-Star Five).

Ky sukses i saj në arenën ndërkombëtare është dëshmia e gjallë se tradita e basketbollit fierak jo vetëm që vazhdon, por mbetet në nivelet më të larta të përfaqësimit.

Megjithatë, përtej krenarisë për arritjet e Enisës, ky moment sjell edhe një peng të vjetër e të madh për të gjithë sportdashësit fierakë.
Lind natyrshëm pyetja që dhemb:
Përse kjo vajzë, ashtu si edhe shumë talente të tjera të rritura në këtë qytet, nuk e veshin dot fanellën e Apolonisë?
Nëse dëshira dhe dashuria e këtyre sportisteve për ngjyrat e vendlindjes nuk ka munguar kurrë, mungesa e një projekti serioz për ti mbajtur këto basketbolliste në shtëpi mbetet një plagë e hapur për sportin e qytetit tonë.
Më poshtë vijon mesazhi i Enisës në rrjetet sociale ku njofton mbylljen e kapitullit me fanelën kuqezi:
“Një kapitull mbyllet, por krenaria mbetet përgjithmonë. 💗🖤
Ka momente në jetë që janë shumë të vështira për t’u përshkruar me fjalë. Ky është një prej tyre.
Pas shumë vitesh, emocionesh, sakrificash dhe kujtimesh të paharrueshme, kam vendosur që ky të ishte turneu im i fundit me fanellën e Kombëtares Shqiptare.

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të përfaqësoj Shqipërinë.
Çdo herë që kam veshur këtë fanellë, e kam bërë me gjithë zemër, me krenari dhe me përgjegjësi.
Ndoshta pengu im i vetëm është që nuk pata mundësinë ta vesh këtë fanellë më shpesh.

Do të kisha dashur t’i jepja Kombëtares edhe më shumë vite, edhe më shumë ndeshje dhe gjithçka që kisha brenda vetes.
Por çdo minutë që pata privilegjin të luaja për Shqipërinë, e dhashë me gjithë shpirt.
Të përfundoj këtë rrugëtim si kapitene e ekipit, me medaljen e argjendtë dhe me përzgjedhjen në All-Star Five, është një fund më i bukur sesa mund ta kisha imagjinuar.

Do ta mbaj gjithmonë me krenari në zemër. Basketbolli më ka dhënë shumë më tepër sesa fitore. Më ka dhënë miqësi, mësime, karakter dhe kujtime që do t’i mbaj me vete gjithë jetën.
Do të doja me gjithë zemër që babai im të kishte pasur mundësinë të më shihte të luaja me fanellën kuqezi. Eshtë një peng që do ta mbaj gjithmonë në zemër. Por më pëlqen të besoj se ai më ka ndjekur dhe ka qenë krenar për mua në çdo hap. 💗.

Sot largohem me besimin se Kombëtarja ka një të ardhme të ndritur. Ka vajza të talentuara që do ta vazhdojnë këtë rrugëtim dhe jam e bindur se do të na bëjnë të gjithëve krenarë. Unë do të jem gjithmonë tifoza e tyre më e madhe. 💗🖤
Largohem nga Kombëtarja me zemrën plot, me kokën lart dhe me mirënjohje të pafund.
Faleminderit, Shqipëri. Ishte nderi më i madh i jetës sime të mbaja këtë fanellë. 🇦🇱💗🖤
Një herë kuqezi, gjithmonë kuqezi.






