Nga Vladimir Muçaj
Një pagë e papaguar, një 18-vjeçar në spital dhe një kallashnikov që mund të sillte tragjedinë!
Një 18-vjeçar, kamarier në një lokal në Golem, përfundoi në spital pas dhunimit brutal, sipas informacioneve të bëra publike nga mediat dhe policia. Shkaku i konfliktit? I riu kishte kërkuar hakun e punës, pagën që i takonte.
Një kërkesë elementare, që në vend të përgjigjes ligjore mori dhunën.
Por ngjarja nuk mbaroi këtu. I indinjuar nga ajo që kishte ndodhur me nipin, xhaxhai i tij mori një kallashnikov dhe shkoi drejt lokalit. Fatmirësisht, policia ndërhyri në kohë dhe e neutralizoi në automjet, së bashku me armën.
Dy ngjarje të rënda brenda së njëjtës histori: një i ri që, sipas raportimeve, dhunohet pse kërkon pagën dhe një familjar që mendon se drejtësia mund të merret me armë.
Asnjëra nuk është e pranueshme.
Por kjo histori nxjerr në pah dy probleme që përsëriten: abuzimi me punëmarrësit dhe informaliteti, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe prania e armëve të paligjshme në shoqëri.
Sa të rinj punojnë pa kontrata të rregullta? Sa prej tyre hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre nga frika se humbasin punën? Dhe sa konflikte të tilla mund të parandaloheshin nëse kontrollet institucionale do të funksiononin përpara se problemi të kthehej në dhunë?
Nga ana tjetër, nuk mund t’ia lëmë çdo problem policisë. Policia është shpesh e para në vendngjarje: në trafik, në zjarre, në emergjenca dhe në konfliktet sociale. Por ajo nuk mund të zëvendësojë institucionet e punës, kontrollin administrativ dhe mekanizmat e parandalimit.
Policia ndërhyn kur konflikti shpërthen; institucionet duhet të punojnë që konflikti të mos shpërthejë.
Dhe këtu më vjen natyrshëm të bashkohem me kolegun Mentor Kikia, i cili shkruan: “Të isha Ministër i Brendshëm, do ta vizitoja atë djalin në spital. Të isha Ministër i Turizmit, gjithashtu! Të isha Ministër i Punës, sërish do të shkoja.”
Edhe unë do ta bëja të njëjtën gjë.
Jo sepse një vizitë zgjidh problemin, por sepse do të ishte një mesazh i qartë se shteti nuk është indiferent ndaj një 18-vjeçari që kërkon të drejtën e tij.
Sigurisht, xhaxhai duhet të përgjigjet për armën dhe veprimet e tij. Hakmarrja nuk është drejtësi. Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë pyetjen tjetër, po aq të rëndësishme:
Kush janë vërtet “horra”? Ata që, sipas raportimeve, dhunuan një 18-vjeçar pse kërkoi pagën e tij, apo ai që mori kallashnikovin për t’u hakmarrë?
Ligjërisht, secili përgjigjet për veprën e vet.
Por shoqërisht, kjo ngjarje duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Sepse kur një kërkesë për pagën përfundon në spital dhe një konflikt pune rrezikon të përfundojë me armë, problemi nuk është më vetëm i atyre që u përfshinë në ngjarje.
Është një problem i shtetit, i institucioneve dhe i shoqërisë sonë.

