Sllanica, skela e panjohur e lumit Vjosa – Nga Ilirjan Gjika

Gjatë mesjetës përgjatë grykëderdhjeve të lumenjve kryesorë të Shqipërisë u ngritën një sërë skelash, të cilat do të luanin një rol të rëndësishëm tregtar. Të tilla mund të përmendim në shekujt XIII-XV, Shirgji në Bunë, Shëngjini në Drin, Shufadaja në Mat, Vregu në Shkumbin, Pirgu në Seman dhe Spinarica në Vjosë.

Dokumentat mesjetare na dëshmojnë se pranë Spinaricës ndodhej edhe një tjetër skelë lumore, me emrin Sllanica. Nëse për Spinaricën ka material të pasur për të ndërtuar një skedë të plotë historike, Sllanica, ka qënë thuajse e panjohur dhe e patrajtuar në studimet e kësaj fushe. Por le të shohim se çfarë dëshmohet rreth saj.

Te botimi ‘’Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia’’, një përmbledhje e dokumentave mesjetare për Shqipërisë, gjejmë një dokument raguzian të datës 15 nëntor 1297 (Ragusini mercatores conqueruntur de iniuria a hominibus Matarangi in loco Slaniza illata), ku dëshmohet se një anije e ngarkuar me mall u detyrua të qëndrojë në Slanicë pranë Spinaricës (2).

Po kështu edhe në volumin e dytë të këtij botimi, autorët, emra të njohur si Ludwig von Thalloczy, Kostantin Jirecek dhe Milan Shuflai, na sjellin edhe një tjetër dokument që flet për Sllanicën.

Dokumenti raguzian që mban datën 15 nëntor 1402 flet për një lundrim nga Durrësi për në Slanicë dhe Vlorë (De navigatione Dyrrhachium, ad locum Slanizae, Valonam agitur) (2). Te vëllimi i parë i të njëjtit libër, pikërisht në faqet e fundit gjendet edhe një hartë e kompozuar nga Milan Shuflai dhe e titulluar ‘’Albania Medievalis’’, ku me emrin Slanica ndeshim zonën bregdetare të fushës së Myzeqesë, që ndodhej midis lumenjve Seman dhe Vjosë (3).

Ndërkohë që historia na jep këto dëshmi për Sllanicën, në terren ndeshet sot në të njëjtin zonë toponimi Sllanik. Pikërisht në këtë vend që ndodhet në J-P të Fierit në fshatin Boçovë, kohët e fundit janë zhvilluar edhe kërkime arkeologjike të cilat kanë dhënë edhe rezultate konkrete.

Së pari, ekspedita arkeologjike e organizuar në kuadrin e ‘’Projektit Via Egnatia’’, në vitet 2003-2005, duke kërkuar në terren gjurmët e degës jugore të rrugës Egnatia, gjeti në fshatin Poro të Fierit disa të dhëna. “Për rrugën e vjetër drejt Apolonisë banorët dhanë këto vendkalime Poro-Fikth-Sllanik (lumi i vdekur)-Shënepremte-Sop-Pojan’’, shkruajnë në këtë rast autorët e këtij kërkimi (4).

Pra kemi të dhëna për një itinerar rruge të vjetër që lidhte Sllanikun me Shën e Premten, kishën mesjetare që ndodhet në Povelçë dhe Pojanin (Apoloninë).

Ndërsa gjatë viteve 2013-2015, ekspedita që kreu kërkime arkeologjike në disa zona të vendit përfshirë edhe këtë pjesë të Myzeqesë, shkruante në shkrimin e saj studimor se: ‘’Në kërkim të skelave grykëlumore të Spinaricës dhe Sllanicës ende të paidentifikuara, fillimisht mësuam se në fshatin Boçovë ruhet toponimi Sllanik’’ (5). Pikërisht këtu arkeologët gjetën edhe disa rrënoja për të cilat me të drejtë ngrihen disa pyetje. Çfarë ka qenë Sllanica?

Një nga degët e Vjosës apo shtrati i lumit që ka kaluar aty në një periudhë të caktuar kohore. A ndodhej në këtë vend një tjetër skelë mesjetare?

Ç’lidhje kishte ajo me Spinaricën dhe me prapatokën rreth saj?

Por në një stad të tillë ku të dhënat dokumentare dhe gjurmët në terren janë të pakta është i vështirë ndërtimi i një historiku rreth skelës së Sllanicës. Gjithsesi një nga faktet ku duhet mbështetur fort është vëshgimi në terren që bëri ekspedita e fundit arkeologjike.

Kështu, te i njëjti artikull autorët e ekspeditës arkeologjike në vitet 2013-2015, theksojnë se: ‘’Përveç toponimit Sllanik që përdoret nga banorët për të emërtuar një nga meandret e lumit të vjetër, aty gjenden edhe rrënoja muresh që duket se i përkasin një lagjeje që ka shërbyer edhe si skelë, që mund të identifikohet me skelën lumore të Sllanicës’’ (6).

Por le ti kthehemi dokumentave. Sipas dëshmive të tyre, Sllanica, ndeshet si skelë në vitet 1297-1402. Ndoshta ajo mori atributet e Spinaricës kur ajo nuk funksiononte më pas vitit 1370. Këtë të dhënë na e jep edhe dokumentacioni i kohës kur pas këtij viti ajo nuk përmendet më në dokumentat perëndimore. Ndoshta ndonjë katastrofë natyrore apo ndonjë ndryshim i mundshëm i shtratit të Vjosës solli fundin e pashmangshëm të saj.

Ndërkohë që ashtu si Spinarica edhe Sllanica përmendet për shumë kohë më vonë në hartat e ndryshme europiane. Kështu, në një hartë të vitit 1700 vepër e hartografit francez Hubert Jaillot, të titulluar ‘’Estats de l’Empire des Turqs en Europe’’, nëpjesën perëndimore të Shqipërisë (Albanie) gjendet edhe lumi i quajtur Salnich (7).

I vendosur midis Spinaricës (Spinarza) në veri dhe Vlorës (la Valona) në jug nga vëzhgimi i thjeshtë i hartës duket qartë se ai korrespondon me lumin Vjosa, te i cili dallohet qartë jo vetëm shtrati ku kalon por edhe degët e tij. Po kështu edhe në hartën e tyre të vitit 1700, të titulluar ”Graeciae et Archipelago, Divisus in Singulares Regiones Macedoniae, Albaniae, Epiri, Thessaliae, Achaiae, et Moreae, quibus accedunt Insulae Candia, Corcyra, Cephalonia, Zacyntho, Stalimine, Metelino, Chius”, autorët Gerard dhe Leonard Valk, paraqesin në bregdetin e Shqipërisë (Albania) edhe lumin Salmich.

Edhe nga vëzhgimi i pjesës së bregdetit të këtij rajoni në pjesën J-P, duket qartë se lumi i emërtuar me emrin Salmich nuk është gjë tjetër veçse Vjosa që ndodhet midis Spinaricës (Spinarz) në veri dhe Vlorës (Valona) në jug. Nga analiza e këtyre hartave vihet re se lumit Salmich nuk është gjë tjetër veçse Slanica e dokumenteve raguziane. Ndërsa e paraqitur qartë në veri të këtij lumi është vendosur Spinarica(Spinarza, Spinarz) e cila është paraqitur në formën e një qendre të banuar.

Kështu duket se të dyja skelat që ndodhen pranë e pranë kanë vepruar pothuajse në të njëjtën kohë. Por këtu ka një kontraditë midis të dhënave që na japin dokumentet raguziane dhe dëshmive të hartave të mësipërme. Sipas dokumentit të dytë raguzian thuhet se ‘’për këtë lum, Slanic…nuk mund të hynin varkat’’, pra nuk ishte i lundrueshëm dhe detarët duhet të përdornin Vlorën për ankorim (9).

Duke u bazuar te dokumentet të cilat janë më të besueshme se janë formuluar nga njerëz që i kanë prekur këto vende del se lumi i Sllanikut mund të ketë qenë një prej shtrateve të braktisur të Vjosës i cili në atë periudhë, mbushej me ujërat e shirave të vjeshtës dhe bëhej i lundrueshëm (dokumentat mbajnë për koiçidencë të dy datën 15 nëntor). Në ditët e sotme në të dy anët e shtratit të lumit Vjosa dallohen qartë meandrat e dikurshëm të Vjosës që në gjuhën e popullit quhen me emrin ‘’lumi i vdekur’’.

Këto pjesë shtrati gjatë dimrit mbushen me ujë dhe shërbejnë si habitate për shumë specie të ndryshme. Gjithsesi problemi i Sllanicës pavarësisht të dhënave të pakta duket i mbyllur. Ruajtja e e tij në termin Sllanik, në shtratin e vjetër të Vjosës (lumi i vdekur), provat arkeologjike të gjetura në terren dhe të dhënat nga hartat europiane janë fakte të rëndësishme të identifikimit të saj. Ndërkohë që ky lokalizim na çon në mënyrë të pashmangshme në një tjetër pohim. Ekzistenca dhe vendodhja e Sllanicës është prova më e fortë se Spinarica nuk ndodhej në Zvërnec të Vlorës, siç e thekson Dyselie (10).

Duke përjashtuar Zvërnecin dhe duke ju referuar faktit se Spinarica ndodhej në derdhje të Vjosës, gjë që dëshmohet nga dokumentat e kohës dhe që pranohet nga të gjithë studjuesit, mund të themi se skela mesjetare duhet kërkuar diku gjetkë. Ndoshta në zonën e Myzeqesë së Fierit. Ekzistenca e një prej ish grykëderdhjeve të Vjosës pranë fshatit Povelçës nuk është pa vlerë.

Pikërisht aty ndodhet edhe kisha mesjetare e Shën e Premtes (shek XIII-XIV), ku një argument i fortë është afërsia e saj me Apoloninë dhe rrjetin e saj rrugor që arkeologët e kanë dokumentuar këtu. Gjithashtu, prania në këtë vend e një kriporeje, ullishtave dhe toponimeve të tilla si ‘’Portiqi’’ (Porti) dhe ‘’Laçaj’’ (djajt-piratët) janë të tjera fakte plotësuese.

Por midis tyre është edhe ekzistenca e dikurshme e kullës (pirgut) së saj, të cilën në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Aleksudhi vizitoi dhe gjeti rrënojat e saj (11). Nëse arkeologët do të gjejnë këtu një provë të ekzstencës së një kulle apo kështjelle atëherë edhe problemi i identifikimit të Spinaricës mbyllet përfundimisht.

Në sajë të ekzistencës së Sllanicës sot mund të themi me siguri se, Spinarica gjendej në veri të Sllanikut të sotëm aty ku gjurmët e dikurshme të Vjosës i afrohen bregut të Adriatikut.

Literatura

1-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol I, A. Holzhausen, Vindobonae MCMXIII, 528.

2-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol II, A. Holzhausen,Vindobonae MCMXVIII, 711.

3-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol I, A. Holzhausen, Vindobonae MCMXIII, Albania Medievalis.

4-Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 315.

5-S. Xhyheri-S. Muçaj-A. Pentkovskiy-I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, Kandavia, 6, Tiranë 2016, f. 309.

6-Po aty, f. 309.

7-Alexis Hubert Jaillot, ‘’Estats de l’Empire des Turqs en Europe’’, Paris 1700, David Rumsey Historical Map Collection.

8-Gerard & Leonard Valk , ”Graeciae et Archipelago, Divisus in Singulares Regiones Macedoniae, Albaniae, Epiri, Thessaliae, Achaiae, et Moreae, quibus accedunt Insulae Candia, Corcyra, Cephalonia, Zacyntho, Stalimine, Metelino, Chius”, Amsterdam 1700, Barry Lawrence Ruderman Antique Maps In.

9-Acta Albaniae, II, 711.

10-Alain Ducellier, La façade maritime de l’Albania au Mouen Age, Durazzo et Valona du XI au XV sicle, Tessalonike 1981, p. 36.

11-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 42.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *