Nëse çlirimtarët e Kosovës dënohen në Hagë, drejtësia ka vdekur!
Tik-taku ka nisur numërimin mbrapsht për një prej vendimeve më të shumëpritura në opinionin mbarëshqiptar dhe jo vetëm.
Në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë, orët e mbetura deri te verdikti i Hagës po shoqërohen me ankth, pritshmëri dhe një pyetje që rëndon mbi ndërgjegjen kolektive:
A do të dënohen ata që drejtuan Luftën Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit kriminal të Slobodan Millosheviçit?
Nuk bëhet fjalë thjesht për fatin personal të disa ish-drejtuesve të UÇK-së. Përtej emrave dhe individëve, ky është një moment që prek vetë mënyrën se si historia dhe drejtësia europiane do të gjykojnë një luftë për liri.
Ironia më e madhe mbetet fakti se kjo gjykatë u krijua me votën e institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen politike të vetë atyre që sot janë ulur në bankën e të akuzuarve. Çliruesit pranuan të përballeshin me drejtësinë, duke besuar se një gjykatë ndërkombëtare do të ndante të vërtetën nga propaganda dhe përgjegjësinë individuale nga faji kolektiv.
Sot, pikërisht kjo drejtësi është përballë provës së saj më të madhe.
Nëse verdikti do të shkojë në të njëjtën linjë me kërkesat e prokurorisë për dënime jashtëzakonisht të rënda, atëherë pyetjet nuk do të jenë më vetëm juridike. Do të jenë politike, morale dhe historike. Sepse një vendim i tillë do të ushqente bindjen se drejtësia ndërkombëtare mund të bëhet peng i konjukturave, interesave dhe standardeve të dyfishta.
Askush nuk kërkon drejtësi të njëanshme për shqiptarët. Por shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë të njëjtin standard drejtësie për të gjithë.
Historia e Kosovës nuk filloi në sallën e gjyqit në Hagë. Ajo është shkruar në vite vuajtjesh, dëbimesh, masakrash dhe rezistence ndaj një regjimi që sot historia europiane e njeh për krimet e tij. UÇK-ja nuk lindi në një vakum. Ajo ishte produkt i një realiteti tragjik dhe i një populli që kishte mbetur pa rrugëdalje tjetër përballë dhunës shtetërore serbe.
Tani “topi” është në duart e trupit gjykues.
Ata kanë në dorë jo vetëm fatin e të akuzuarve, por edhe besimin e një pjese të madhe të opinionit shqiptar te drejtësia ndërkombëtare. Një drejtësi e besueshme nuk duhet të ndikohet nga politika, presioni apo narrativat e ndërtuara ndër vite. Ajo duhet të mbështetet vetëm te provat dhe përgjegjësia individuale.
Nëse provat nuk justifikojnë dënimin, atëherë çlirimtarët duhet të kthehen të lirë në Kosovë.
Nëse Europa pretendon se ka drejtësi, standarde demokratike dhe institucione të pavarura, kjo është ora për ta dëshmuar.
Në të kundërt, nëse një gjykatë ndërkombëtare do të dënojë ata që luftuan për çlirimin e Kosovës pa një bazë bindëse provash dhe përgjegjësie individuale, Haga rrezikon të mbetet në kujtesën shqiptare jo si simbol i drejtësisë, por si një prej dështimeve dhe padrejtësive më të mëdha të saj ndaj shqiptarëve.
Sepse historia mund të vonojë në dhënien e verdiktit.
Por historia nuk harron.Dhe nëse drejtësia dënon çlirimtarët pa drejtësi, atëherë nuk është më drejtësi.

