Vera, në sytë e një nëne dhe mësueseje, është më shumë se pushim. Është kohë për familjen, natyrën, lirinë, përgjegjësinë dhe mirënjohjen. Një rrëfim i sinqertë për fëmijët, mësuesinë dhe mësimet që na sjell vera.
Nga Alkida Mehmeti
Sa herë vijnë pushimet e verës, sidomos kur i përjetoj në rolin e nënës, i bëj vetes të njëjtat pyetje: Çfarë bëmë mirë? Ku mund të kishim bërë më mirë? Çfarë mund t’u kishim dhënë më shumë fëmijëve tanë?
Ndoshta sepse, për mua, të qenit nënë nuk është një rol që vendoset në pauzë. Ashtu siç nuk vendoset në pauzë të qenit mësuese.
Gjatë vitit, përveç profesionit të mësueses, drejtoj edhe një qendër studimi. Kjo do të thotë angazhime të shumta dhe një ritëm të ngjeshur. Prandaj vera është koha kur përpiqem t’u dedikohem maksimalisht vajzave të mia. Nuk do të thosha se jam një nënë perfekte – dhe nuk besoj se ekziston një prind i tillë – por në këta dy muaj përpiqem që mëngjesi të nisë me to dhe mbrëmja të përfundojë me to.
Ne kalojmë rreth dy muaj pranë detit, por për mua pushimet nuk nënkuptojnë pakujdesi apo mungesë përgjegjësie. Edhe në verë ka rutinë, rregulla dhe bashkëjetesë. Vajzat angazhohen në gjërat e tyre personale, në rregullimin e shtëpisë, në detyrat që kanë dhe në punët e vogla të kopshtit. U them shpesh se jemi bashkëjetuese në një shtëpi dhe secila prej nesh ka përgjegjësitë e veta.
Në plazh kjo përgjegjësi shndërrohet në një tjetër formë lirie.
I shoh të notojnë, të luajnë, të marrin iniciativa, të merren me natyrën. Frekuentojmë prej vitesh të njëjtin ambient dhe, me kalimin e kohës, fëmijët janë bërë një grup i madh. Mblidhemi një nga një ne të rriturit dhe, pas pak, fëmijët bëhen një “uragan” që mezi ndalet.
Not, lojëra, kanoe apo dërrasa lundrimi, kopsht, mbjellje e vjelje perimesh… dhe mbi të gjitha, shumë pak telefon.
Për mua, ky është një nga sukseset më të bukura të verës.
Kur i shoh të pavarura, aktive dhe të afta të shijojnë natyrën, mbushem me gëzim. E ndiej si një moment kur mund t’i them vetes: një objektiv u arrit.
Mësuesja nuk largohet kurrë plotësisht nga klasa
Kur jam me pushime, jam me pushime. E pranoj rrethanën ku ndodhem dhe përpiqem ta shijoj atë. Por kjo nuk do të thotë se nuk mendoj për nxënësit e mi.
Më ka mbetur në mendje një bisedë që kam bërë dy vite më parë dhe e kujtoj sa herë përballem me ndonjë revoltë, pakënaqësi apo kërkesë të fëmijëve të mi.
Pas pushimeve, ditën e parë të shkollës, bashkëbisedojmë me nxënësit dhe ndajmë përvojat e verës. I pyes me radhë se si kanë kaluar. Një nxënëse më tha se kishte kaluar shumë mirë.
E pyeta me shaka:
“Po ti, pse nuk je nxirë fare?”.
Ajo uli sytë dhe më tha:
“Unë e kam qejf plazhin.”
Vazhdova ta pyes dhe mësova se ajo nuk kishte shkuar fare në det.
Ishte një moment i vogël në dukje, por për mua mbeti një mësim i madh.
Sepse ne, të rriturit, shumë gjëra i konsiderojmë të zakonshme. Një ditë në plazh, një udhëtim, një lodër, një aktivitet veror. Por për një fëmijë, këto mund të jenë privilegje që nuk i ka gjithmonë.
Që prej asaj kohe, përpiqem t’ua vë më shumë në dukje edhe vajzave të mia rëndësinë e mirënjohjes. Jo për t’i bërë të ndihen në faj për atë që kanë, por për t’i mësuar të kuptojnë se jeta nuk është e njëjtë për të gjithë dhe se disa gjëra që ne i marrim si të mirëqena, për dikë tjetër mund të jenë një dëshirë e parealizuar.
Edukimi fillon te mënyra si sillemi
Si nënë dhe si mësuese, një nga gjërat që e konsideroj më të rëndësishme është edukimi në sjellje dhe në komunikim.
Nuk ka një recetë.
Unë jam e vëmendshme, vigjilente dhe merrem shumë me detajet. Flas, këshilloj, korrigjoj, por edhe dëgjoj. Më intereson mënyra se si vajzat e mia komunikojnë me të tjerët, si sillen shokët me to dhe, mbi të gjitha, si ndihen ato në marrëdhëniet me të tjerët.
Nuk dua t’i mësoj të pranojnë fyerjen, përçmimin apo refuzimin si diçka normale.
Për mua, këto janë momente vendimtare në ndërtimin e personalitetit të tyre.
Dua të kenë vetëbesim.
Jo një vetëbesim artificial, por atë që lind kur njeh veten, pranon rrethanat, kupton mundësitë që ke dhe më pas vendos se çfarë do të bësh me to.
Unë vetë kam një vetëbesim të fortë. Nuk është e lehtë të ma prishësh humorin apo të më pengosh rrugën që kam zgjedhur. Përpiqem t’i shoh gjërat me logjikë: ku jam, çfarë mundësish kam, çfarë mund të ndryshoj dhe çfarë dua.
Këtë dua t’ua përcjell edhe vajzave të mia.
U kujtoj shpesh mënyrën si janë rritur, shkollën, instrumentet që luajnë, mbështetjen e prindërve dhe gjithë përkushtimin që kanë pasur rreth tyre. Dua që të kuptojnë se vetëbesimi ndërtohet edhe duke njohur rrugën që ke bërë.
Mësuesia më ka bërë më njerëzore
Nëse më pyesin çfarë më ka mësuar profesioni i mësueses për të qenë nënë, përgjigjja ime është: të jem më njerëzore.
Kam qenë gjithmonë e ndjeshme dhe emocionale, por puna me fëmijët më ka mësuar të dëgjoj më shumë, të komunikoj më mirë, të jem e drejtë dhe të kuptoj se pas çdo sjelljeje të një fëmije mund të ketë një arsye.
Besoj se kam qenë me fat në rrugëtimin tim profesional. Në fund të viteve kam parë nxënës që janë larguar nga klasa me vetëbesim, sjellje të mirë dhe një marrëdhënie të shëndetshme me veten dhe të tjerët.
Dhe kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha të profesionit.
Mësuesi dhe prindi kanë të njëjtën sfidë: fjalën
Mendoj se ndonjëherë prindërit nuk e kuptojnë plotësisht sa të ndërlikuara janë sfidat e një mësuesi.
Në thelb, është shumë e ngjashme me prindërimin.
“Ma tha. I thashë. Më vrau. E vrava.”
Por në shkollë gjithçka është më delikate. Një fjalë e mësuesit mund të bëhet mesazh, motivim, por edhe pa dashje një “gozhdë” që dëmton.
Prandaj mësuesi duhet të jetë shumë i kujdesshëm jo vetëm me atë që thotë, por edhe me mënyrën se si e thotë.
Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për dije. Kanë nevojë për të rritur që t’i ndihmojnë të ndërtojnë mënyrën se si do ta shohin veten dhe botën.
Vera ime nis para orës gjashtë
Çuditërisht, vera ime nis shumë herët.
Zgjohem para orës gjashtë. Një kafe në ballkon, deti përballë dhe ajo qetësi që vetëm vera di të ta japë.
Pastaj një libër.
Këtë vit, krahas kohës me vajzat, kam pasur edhe një angazhim të rëndësishëm: StudioBrida Kids, me krijime për fëmijë, këngë dhe tregime të realizuara edhe përmes inteligjencës artificiale.
Edhe për fillimin e vitit shkollor mbaj shënime. Ide për projekte, materiale, gjëra që dua t’i zbatoj me fëmijët.
Në mes të gushtit, natyrshëm, fokusi fillon të zhvendoset nga vera te shkolla. Fillon pritja për takimin me nxënësit.
Dhe çdo shtator është një emocion i ri.
Dita e parë, përqafimet, gëzimi i fëmijëve… janë një ndjesi që nuk përsëritet kurrë njësoj. Madje bëj gjithmonë një fotografi, për ta ruajtur atë moment dhe për ta parë më vonë se sa kemi ndryshuar nga një vit në tjetrin.
Çfarë më mësoi kjo verë?
Durimin.
Komunikimin e vazhdueshëm.
Tolerancën.
Jam një shpirt i lirë. U jap njerëzve mundësi dhe kohë. Besoj se jo çdo gjë duhet zgjidhur menjëherë dhe se jo çdo rrethanë duhet luftuar; disa duhen pranuar, kuptuar dhe pastaj duhet gjetur rruga përpara.
Kjo verë më kujtoi edhe një herë se fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për aktivitete të organizuara. Kanë nevojë për natyrën, detin, njerëzit, lirinë, përgjegjësinë dhe mundësinë për të provuar gjërat vetë.
Vajzat e mia janë të ndryshme çdo vit. Ndryshojnë sjelljet, kërkesat dhe pritshmëritë e tyre. Por pikërisht kjo e bën çdo verë të veçantë.
Jam krenare për investimin tim në edukimin e tyre, por edhe për atë që kemi ndërtuar si grup: prindër dhe fëmijë që komunikojnë, ndajnë përvoja, dëgjojnë dhe këshillojnë njëri-tjetrin.
Deri më sot, mund të them se janë të mrekullueshëm.
Mbi të gjitha, janë energjikë dhe të lumtur.
Dhe ndoshta ky është rezultati më i bukur që mund të kërkojë një nënë.
Të rrisësh fëmijë që dinë të shijojnë jetën, por edhe të kuptojnë vlerën e asaj që kanë.
Burimi: https://www.portalishkollor.al/

