Lajme nga Fieri

Reforma e re territoriale e bashkon me Fierin, qytetarët e Patosit protestë për të tretën herë para bashkisë kundër shkrirjes

Reforma e re territoriale e bashkon me Fierin, qytetarët e Patosit protestë për të tretën herë para bashkisë kundër shkrirjes
FieriSot · Foto ilustruese

Për të tretën herë, qytetarë të Patosit janë mbledhur në protestë kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.

Protestuesit shprehen kundër ndryshimit të statusit të qytetit, duke kërkuar që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative.

Sipas tyre, Patosi plotëson kriteret për të qenë bashki, ndërsa një nga argumentet kryesore lidhet me të ardhurat që gjenerohen nga industria e naftës, e cila prej dekadash është një nga aktivitetet kryesore ekonomike të zonës.

Qytetarët kundërshtojnë gjithashtu largimin e shërbimeve administrative nga Patosi. Ata thonë se bashkimi me Fierin do të krijonte vështirësi, veçanërisht për të moshuarit, të cilët do të duhet të udhëtojnë drejt Fierit edhe për marrjen e dokumenteve apo shërbimeve të ndryshme.

“Patosi ka historinë, ekonominë dhe të ardhurat e veta. Nuk është e drejtë që qytetarët të detyrohen të shkojnë në Fier për shërbime që sot i marrin këtu. Sidomos për të moshuarit kjo është një vështirësi e madhe”, u shpreh një qytetar.

Protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e tyre edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që zëri i qytetarëve të Patosit të merret në konsideratë përpara çdo vendimmarrjeje për riorganizimin territorial.

Top Channel