Qeveria ka ndryshuar rregullat për përdorimin dhe privatizimin e pronave shtetërore, duke përcaktuar kushtet kur subjektet me kontrata me tarifën simbolike 1 euro mund të kërkojnë blerjen e pasurisë, si dhe sanksionet kur nuk realizohen investimet ose vendet e punës të marra përsipër.
Ndryshimet janë bërë përmes dy udhëzimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, nr. 6 dhe nr. 7, të datës 1 shtator 2026. Udhëzimi nr. 6 rregullon dhënien me qira dhe enfiteozë të pasurive shtetërore, ndërsa udhëzimi nr. 7 ndryshon procedurat për vlerësimin, privatizimin dhe shitjen e tyre.
Sipas udhëzimit nr. 7, subjektet që kanë marrë prona shtetërore me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë me kontrata qiraje ose enfiteoze me tarifën “1 euro/kontrata” mund të kërkojnë blerjen e tyre, me kusht që prona të mos jetë e patjetërsueshme.
Për t’u shqyrtuar kërkesa, subjekti duhet të ketë realizuar brenda afatit kontraktor “investime në vlerë mbi 5,000,000 euro dhe në një vlerë më të lartë se 750 për qind e vlerës së pasurisë shtetërore objekt i kërkesës për blerje”. Përmbushja e këtyre kushteve duhet të vërtetohet me dokumentacion kontraktor, financiar dhe teknik.
Po sipas udhëzimit nr. 7, blerja e pronës nuk e çliron subjektin nga detyrimi për të realizuar investimin e plotë të parashikuar në planin e biznesit dhe në kontratën e mëparshme të qirasë ose enfiteozës. Ky detyrim duhet të përfshihet në kontratën e shitjes dhe të pasqyrohet si kufizim në kartelën e pasurisë.
Nëse investitori nuk e përmbush këtë detyrim, udhëzimi i jep Ministrisë së Ekonomisë të drejtën të zgjidhë kontratën e shitjes në mënyrë të njëanshme.
“Ministria përgjegjëse ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes […] me rikthimin e pasurisë së privatizuar në pronësi të shtetit dhe me të drejtën për të mbajtur shumën e paguar më parë nga blerësi për blerjen e pasurisë”, përcakton udhëzimi nr. 7.
Blerësi gjithashtu nuk mund t’ia tjetërsojë pronën një pale të tretë deri në realizimin e plotë të investimit. Udhëzimi përcakton se ky ndalim “përbën hipotekë ligjore mbi pasurinë” dhe pasqyrohet në regjistrin kadastral.
Ndërkohë, udhëzimi nr. 6 vendos rregulla të veçanta për zbatimin dhe monitorimin e kontratave me tarifën simbolike 1 euro.
Për mosrealizimin e investimit të përcaktuar në kontratë, “subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës penalizohet me 10 për qind të vlerës së investimit të parealizuar”, sipas udhëzimit nr. 6.
I njëjti udhëzim vendos edhe një penalitet për mosrealizimin e punësimit të premtuar. “Për çdo vend pune të parealizuar […] subjekti qiramarrës/enfiteozëmarrës penalizohet me 50,000 lekë”. Numri i vendeve të punës përcaktohet mbi bazën e mesatares vjetore të punonjësve të deklaruar pranë administratës tatimore.
Udhëzimi nr. 6 kërkon që investimet e realizuara të kontrollohen përmes raportit të audituesit ligjor dhe ekspertit të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bilancit financiar dhe aktit të përbashkët të monitorimit. Kur investimi rezulton në nivelin e përcaktuar në kontratë, miratohet kthimi i garancisë së ngurtësuar.
Po ky udhëzim ndryshon edhe mënyrën e zhvillimit të procedurave për dhënien me qira ose enfiteozë të pronave shtetërore. Pas publikimit të konkurrimit, “komunikimi ndërmjet institucionit dhe ofertuesve, administrimi i dokumentacionit dhe çdo veprim procedural gjatë konkurrimit zhvillohen vetëm nëpërmjet adresës zyrtare elektronike të institucionit”.
Udhëzimi nr. 6 përcakton gjithashtu mënyrën e llogaritjes së tarifës dysheme për pronat shtetërore. Për ndërtesat, tarifa mujore minimale për metër katror është 0.3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në bashkinë ku ndodhet prona. Në shembullin e dhënë në udhëzim për një ndërtesë 100 metra katrorë në Tiranë, detyrimi minimal llogaritet në 37,295 lekë në muaj.
Monitorimi i kontratave, sipas udhëzimit nr. 6, përfshin pagesën e qirasë, kamatëvonesat dhe penalitetet, realizimin e investimeve dhe nivelin e punësimit. Njësia përgjegjëse duhet të hartojë aktet e përbashkëta të monitorimit të paktën një herë në gjashtë muaj.

