7 TETOR 2026, ORA 09:40 E MËNGJESIT. DITA MË E TMERRSHME E JETËS SIME.
Ditën e mërkur bëra aksident me motor, te Kastrati, përballë QTU-së. Në kaq vite mbi motor, nuk më kishte ndodhur kurrë diçka e tillë. Sigurisht, ka pasur raste kur njerëzit nuk shohin as rrugën, as pasqyrat. Por ajo ditë më tregoi, brenda një me fragmenti të shkurtër, sa të vegjël e të pafuqishëm jemi për të ndryshuar diçka që po ndodh.
Një makinë e zezë më doli përpara. Kisha një furgon në të majtë, ndërsa makina më preu rrugën duke frenuar vetëm pak metra larg meje, me idenë për të marrë karburant.
Një manovër e tij nga tri korsi në të majtë, drejt meje në të djathtë, dhe një frenim që nuk më la as kohë të reagoja. Nuk kisha ku të shkoja: furgonin në të majtë, barrierën e rrugës në të djathtë.
Frenimi me dorë dhe këmbë njëkohësisht nuk mjaftonte më. Mbaj mend vetëm përplasjen dhe pastaj tokën. Për pak sekonda, humba ndjenjat.Thonë se kur je mes jetës dhe vdekjes, sheh një dritë të bardhë.
Unë e pashë por dicka më zgjoi. Ndjeva bërrylin që më kishte dalë nga vendi, trupin e përplasur në asfalt dhe dhimbjen që më pushtonte.
Fryma po më merrej. Mezi hapa xhamin e kokores, vetëm për të parë nëse ai që më aksidentoi kishte qëndruar apo ishte larguar. Kishte ndaluar te Kastrati. U mblodha si një fëmijë. Ulërija, qaja dhe kërkoja ndihmë. Dhimbjet e krahut ishin më të fortat që kam provuar. I lutesha personit që më përplasi të merrte ambulancën, por mbaj mend se më shihte me ftohtësinë më të madhe dhe as nuk m’u afrua.
Pastaj, mes asaj dhimbjeje dhe frike, mbaj mend një djalë që erdhi me vrap. Tani që po shkruaj për të, po qaj. Sepse ato minuta mendoja se po vdisja. Ai djalë erdhi, më qëndroi pranë. Nuk më la vetëm. Priti derisa erdhën familjarët e mi, të cilët mbërritën brenda pak sekondash, madje më shpejt se ambulanca. Dëgjova dikë që tha: “Hiqini kokoren!”
Por ai djalë nuk la askënd të më prekte. Vetëm më mbante dorën. Nuk e di kush je, por sapo të rikuperohem, do të të kërkoj. Nëse po e lexon këtë, dua ta dish se të jam mirënjohëse gjithë jetën. Ato minuta nuk harrohen. Nuk harrohet ndjesia kur mban krahun me dorë, kur fryma sa vjen e pakësohet dhe kur nuk e di nëse do të kthehesh më te njerëzit e tu.
Nuk harrohet rruga nga ambulanca deri në spital, një ferr i vërtetë mes dhimbjes, frikës, ankthit dhe lotëve. Dhe në ato çaste, kur mendon se mund të jetë fundi, të kalon para syve gjithçka që ke ende për të jetuar.
Detyra si vajzë e një nëne. Si motër e një vëllai. Si nënë e një vajze 7-vjeçare që të pret ta marrësh nga shkolla dhe që në darkë t’i lexosh përralla. Dhe detyra ende e papërfunduar si njeri, si Kamila, si gazetare e popullit dhe jo e politikës. Luftova ato minuta në asfalt për të shpëtuar. Nuk i fal dot lotët e familjes sime.
Nuk e përballoj dot mendimin se sa pranë mund të isha me humbjen e gjithçkaje që dua. Dhe nuk mund të mos mendoj për Katanën, motorin që ka qenë pjesë e asaj që më mban gjallë, pasioni im, e kryeve detyrën, u shkatërrove për të më shpëtuar.
Sa të pafuqishëm jemi kur duam të ndryshojmë diçka që nuk është më në dorën tonë. Nuk e di nëse ishte thjesht pakujdesi njerëzore apo një nga ato çaste që të bëjnë të mendosh për planin e Zotit. Uroj dhe shpresoj të ketë qenë thjesht një aksident nga pakujdesia e personit që më preu rrugën.
Aksidenti është nën hetim dhe do të shqyrtohet nga ekspertiza. Pasi të dalë përfundimi, çdo gjë do të dalë në dritë.Sot dua t’ju falënderoj të gjithëve, me dorë në zemër, që jeni interesuar dhe më keni shkruar të shqetësuar për shëndetin tim. Jam me fat që, e gjallë, lexova kaq shumë fjalë të bukura për mua dhe punën time. Ju jam mirënjohëse nga zemra.
Falënderoj Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë dhe gjithë mekstafin mjekësor, nga sanitaret e infermierët deri te mjekët e mrekullueshëm, për punën dhe kujdesin e palodhur.
Falënderoj kolegët e mi, që ishin të gatshëm për çdo gjë. Dhe falënderoj jetën që më dha mundësinë të jem ende këtu, të përqafoj vajzën time, të jem pranë familjes sime dhe të vazhdoj atë që kam nisur.
E juaja, e gjallë dhe më e fortë se kurrë. Përulësisht, Kamila.🤍

