Aktualitet

Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës, ja sa do të kushtojë nga sot

Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës, ja sa do të kushtojë nga sot
FieriSot · Foto ilustruese

 Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka vendosur sot çmimet e reja të tregtimit të karburanteve, duke përcaktuar çmimin maksimal me pakicë të gazoilit në 211 lekë/litër, duke e ulur me dy lekë.

Në mbledhjen e zhvilluar në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me shumicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 195 lekë/litër.

Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me shumicë për benzinën e standardit SSH EN u përcaktua në 183 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot, 10 tetor, ora 12.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërhoqi vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit. Në rast të konstatimit të shkeljeve, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve.

Vendimi është marrë në zbatim të kuadrit ligjor për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të Aktit Normativ për një shtesë në ligjin për akcizat.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.