Kryeministri Edi Rama iu bëri sot thirrje të gjithë emigrantëve që të rikthehen në atdhe sepse së shpejti Shqipëria do t’u ofrojë atyre punë të mirëpaguar.
Në fjalën e tij në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, Rama u shpreh se, patjetër që porti do të sjellë punësim dhe punësim cilësor të mirë paguar”.
“Porti është një tjetër argument dhe një tjetër arsye që ne të shkojmë më shpejt përpara me reformën e re që po bëjmë për arsimin profesional”, u shpreh kryeministri.
Rama u shpreh se, ndërkohë është një tjetër arsye për t’i thënë shqiptarëve që punojnë në Greqi aktualisht, që, “ndërkohë që rrijnë atje, pastrojnë hotele, lajnë pjata, bëjnë shërbime si kamarierë, punojnë si kuzhinierë dhe janë të përfshirë në të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me turizmin, të vijnë këtu pa humbur kohë sepse në mënyrën më absolute me laps në dorë, në fund të muajit ju ngelen më shumë këtu sesa atje”.
“Ju them njëkohësisht të tjerëve që janë të angazhuar sot në infrastrukturën, patjetër shumë më mbresëlënëse që ka Greqia në industrinë portuale që së shpejti Shqipëria do t’u ofrojë atyre punë të mirë paguar për t’u kthyer dhe për të qëndruar këtu”, u shpreh Rama.