Qeveria i hap rrugë ndërtimit të shëtitores së plazhit në Durrës dhe zgjerimit të varrezave në Fier
Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë nisjes së zbatimit për dy projekte, ndërtimit të shëtitores në plazhin e Durrësit, si edhe projektit për zgjerimin e varrezave në Fier.
Qeveria vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, me objekt “Projektzbatimi për ndërtimin e shëtitores së plazhit të Durrësit, nga Ura e Dajlanit deri në godinën e Konvaleshencës”, Bashkia Durrës.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 26 298 893.60 lekësh.
Gjithashtu qeveria vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike, faza V, fshati Mbyet, njësia administrative Portëz, Bashkia Fier”.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 12 933 420 lekësh.