Erion Braçe zbulon objektivin e PS për Qarkun Fier, por vetë a do të kandidojë më?
Me 28 vite aktive në Parlament, deputeti i dytë më i votuar në Shqipëri, me mbi 15 mijë vota, Erion Braçe, e sheh kandidimin për deputet pa emocione. Edhe pse punën vazhdon ta bëjë me të njëjtin pasion.
Në një intervistë me gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë, në RTSH, Erion Braçe ishte i ftohtë në lidhje me rikandidimin në 2025-ën, ku në PS është vendosur rregulli se deputetët me më shumë se 1 mandat nuk do të vendosen në listën e sigurtë. “Nuk e kam problem fare jam apo nuk jam deputet, jo më ta kem problem jam apo nuk jam në pjesë të sigurtë apo në pjesë të pasigurtë. Në moshën biologjike dhe politike që jam nuk kam asnjë shqetësim apo dilemë do të jem apo jo deputet. Nuk e konsideroj si kandidim. Unë paraqitem atje për një kontratë pune. Në rast se do të ma japin, ok. Në rast se nuk do të ma japin, do të kërkoj punë gjëkundi tjetër. Ç’problem ka?!”- tha Erion Braçe, duke konfirmuar se ai vazhdon të punojë me strukturat e PS në zonën e Divjakës, në qarkun e Fierit.
Ky qark, që prodhon 16 deputetë, drejtohet tani nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të cilën zoti Braçe e mbështeti për vendimet e marra në funksion të arritjes së objektivit zgjedhor. “Nuk e di çfarë strukturash kanë ndryshuar në Fier, por edhe nëse kanë ndryshuar, mirë kanë bërë, sepse nuk mund të presësh rezultat më të lartë duke bërë të njëjtën gjë. Objektivi ynë është të marrim 10 deputetë. I kemi patur në 2017 dhe duhet t’i rimarrim prapë.”- tha Erion Braçe gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, ku u pyet edhe nëse është pro apo mbylljes së rrjeteve sociale si Tik Tok apo Snapchat.
“Tik Tok është një rrjet social me bazë në Kinë, por që është i lirë vetëm në SHBA dhe Europë. Në Kinë është i mbyllur dhe përdoret vetëm për qëllime mësimi. Për Europën dhe Amerikën, Tik Tok ka rregulla të tjera dhe që kanë sjellë këto pasoja sot. Nuk duhet asnjë virus më shumë nga Kina, asnjë bombë më shumë nga Kina sesa kjo që ka hedhur në mes të Europës dhe në mes të Amerikës.
Edhe nga dimensioni i komisionit që drejtoj, për influencat që vijnë edhe nga Kina dhe nga propaganda e saj, por edhe nga dëmi që ky rrjet social po shkakton, për mua duhet mbyllur. Gjithë këta që po flasin tani dhe më rezultojnë se janë ose përdorues ekonomike të Tik Tokut, ose influencer klikimesh të Tik Tokut, duhet të kuptojnë se paratë që përfitojnë nga Tik Tok vlejnë shumë më pak se jeta e fëmijëve qe përdorin Tik Tok. “- tha zoti Braçe në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
Gazetare Elona Meço