Ndërron jetë futbollisti shqiptar në Itali, 16-vjeçari u aksidentua me makinë
Futbollisti Lorenzo Çela, ka ndërruar jetë në moshën 16-vjeçare, në një spital në Brescia të Italisë, aty ku ishte i shtruar prej pasdites të së dielës.
Shqiptari u përfshi në një aksident me makinë, teksa po udhëtonte me të dashurën e tij dhe nënën e kësaj të fundit.
Makina që drejtohej nga nëna e të dashurës së Lorenzo Çelës, u përplas në rrugë me një tjetër automjet dhe si pasojë e plagëve të marra, 16-vjeçari shqiptar ndërroi jetë në spital.
Lorenzo Çela ishte futbollist dhe luante me të rinjtë e Desenzano. Ëndrra e tij ishte që të bëhej një futbollist i madh dhe me emër, por u ndal në mes, që në moshë të re.
Ndërkohë policia ka nisur hetimet, për të zbardhur shkaqet që sollën këtë aksident, që i kushtoi jetën të riut shqiptar.