Dosier

Robert Lalo, krye-energjetiku i ish Azotikut që e mbajti “gjallë” dhe i dha jetë uzinës “Gogo Nushi” në Fier – Nga Demir Korita

Në kujtim të gjithë atyre kuadrove, intelektualëve, inxhinierëve dhe teknikëve, që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka nga jeta për ndërtimin dhe funksionimin normal të industrisë kimike në Shqipëri.

Cest la vie

Qysh në rininë e tij Berti Lalo shquhej për inteligjencën dhe vullnetin e të mësuarit. Ishte koha kur punohej me atë vrull, dëshirë e vullnet për zhvillimin e përparimin e vëndit. Ishte koha kur po hapeshin perspektiva të reja për brezin e ri pothuajse në të gjitha fushat. Ishte kjo arsyeja që brezi i ri studjonte intesivisht, dhe me ambicjen për të arritur nivele të larta në shkollë, dhe për të kaluar në stadet më të larta të arsimimit. Shquhej midis nxënësve të shkollës “Naim Frashëri” të Tiranës e sidomos në shkencat ekzakte, dhe si i tillë zgjodhi të vazhdontë “Politeknikumin 7 Nëntori” në Tiranë ku shquhej për individualitetin dhe personalitetin në raport me të tjerët.

Ishte mjaft i veçantë pasi dallohej si një person shumë komunikues, me nivel të gjerë kulturor, dhe për humorin e tij mjaft të “hollë e të ëmbël”. U lind më 1 shtator 1937, në Radovë, Leskovik, Ersekë. Arsimin 7-vjeçar e ka kryer në shkollën “Naim Frashëri” Tiranë. Në vitin 1955, ka përfunduar Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë me rezultate të larta. Për rezultate të larta në shkollën e mesme përfiton të drejtë studimi për në fakultetin e inxhinierisë elektrike të Universitetit Shtetror ë Tiranës.Në vitin akademik 1955-1960 përfundoi fakultetin e inxhinierise elektrike Tiranë, ku u diplomua ing. elektrik. Emërohet si inxhinier i ri në Minierën e Qymyrgurit në ku punoi për rreth 5 vjet në detyrën e kryenergjetikut.

Djathtas inxhinierët, Roberti, Stafa Kumbaro dhe Vangjush Orgocka
Roberti me specialistë Kinez e Shqiptar. Viti 1967

Në vitin 1965, transferohet në Fier, në përfaqësinë për ndërtimin-montimin e uzinës së pleherave azotike. Në atë periudhë projektet e montimit, por edhe të shfrytëzimit drejtoheshin nga specialistët italjanë, kinez dhe shqiptar. Ishte fat që Berti të ishte pjesë me ta, dhe të siguronte një përvojë të re në fushën e teknikës së re moderne. Në krahë të tyre Berti u angazhua në montimin e gjithë rrjetit elektrik, ku u shtrinë rreth 68 mijë metra linear kabëll. U ndërtuan me të gjitha paisjet tre nën-stacione elektrike me 200 elektromotorrë të tensionit të ultë dhe të lartë me një fuqi 16.500K/W-at, që vinte nga TEC i Fierit që ishte pranë Azotikut. Pjesmarrja në montimin e gjithë sistemit elektrik të Azotikut e bëri atë “zot” në njohjen dhe aftësitë menaxhuese e shkencore në detaj të çdo paisje dhe aparature elektrike.

Në krye të gjithë atij aksioni drejtonte dhe udhëhiqte ing Berti Lalo me bashkpuntorët e tij ing Harito Gribizi, Bashkim Bano, Shaban Xhafa. Duke shfrytëzuar literaturën italjane që dispononte pala italjane, Berti përfitoi të “rrëmbejë” prej tyre përvojën më të avancuar dhe të përparuar. Ajo i dha mundësi që të krijojë një bagazh të madh teorik e praktik, të cilën krijoi, dispenca, dhe katallogje për t’i shërbyer në përgatitjen e specialistëve të rinj të ardhur nga shkollat e mesme elektrike, nga shkollat dyvjeçare dhe gjimnazi i Fierit. Ndërkohë hodhi bazat për përgatitjen e gjithë literaturës së domosdoshme dhe projekteve elektrik duke krijuar arshivën për çdo pajisje elektrike.

Koha për vënien në punë të uzinës ishte e shkurtër, por angazhimi i Bertit qe mjaft i përkushtuar dhe pa limit kohor. U montua dhe u lëshua për herë të parë në vëndin tonë motorri Sinkron GRV, me fuqi 2900 K/W-at. Së bashku me specialistët, ing dhe teknik të repartit elektrik Berti qëndroi për 6 muaj rresht pranë reparteve të prodhimit, pranë çdo ngjarje e difekt në gatishmëri të plotë. Ato muaj që u lëshua azotiku për gjithë administratën, specialistët, ing dhe teknik, ishin muaj sulmi, aksioni dhe pa orar kohor. Angazhimi total i gjithë specialistëve, secili i doli zot vëndit të punës u arrit që Azotiku të lëshohej me sukses dhe më 23 shkurt 1967 dha prodhimin e parë të nitratit të amonit të markës shqiptare. Pra në këtë proçes të gjatë që pasoi me sukses, pati rolin dhe vëndin e tij edhe Robert Lalo.

Me vënien në shfrytëzim të uzinës së nitrat amonit, ushtroi detyrën e kryenegjetikut, të uzinës në repartin elektrik, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1979. Në vitin 1967 u angazhua në aksionin e madh për elektrifikimin e rrethit të Fier-Mallakaster dhe gjithë Myzeqesë, pa u shkëputur nga detyra në uzinë. Si inxhinier me kulturë dhe bagazh teorik dha mësim pranë shkollës së mesme,”Petro Sota” në Fier, dega elektrike pa shkëputje nga puna, ku një ndër nxënësit e tij ishte edhe Luftar Paja (Artist i Popullit), dhe mjaft të tjerë që u bënë kuadro, shefa repartesh, dhe me aftësi të larta profesionale, mjeshtra etj, që janë të shumtë si: Thanas Nakuçi, Dhimitër Bilero, Serjan Serjani, Minella Çuko, Dhimitra Buli, Dine Raku, Pandi Plaku,Vangjel Zeno, Pajtim Memisha, Leonora Gjinushi, Vasil Panda, Gjena Nakuçi, Hajrije Kaçanolli, Polikseni Mërtiri, Anesti Stefa, Leonidha Nito, etj.

Ish Azotiku

Në Azotik u njoh dhe krijoi familje me një ndër vajzat më të mira, laboranten (dhe më pas inxhiniere) Elvira Dhimitër Kotinin me origjinë nga Buali i Përmetit.

Gjatë ushtrimit të detyrës si inxh. elektrik në Azotik, ka bërë disa nga novacionet me rëndësi ekonomike siç ishte djegja e Statorit të kompresorit të gazit të repartit të krekingur të naftës dhe i zëvendësimit të tij me një motor tjetër Sinkron, që ndodhej në uzinën e bakrit në Rubik duke e adoptuar, dhe përshtatur skemës së automatikës.

Riparimi i defektit në stufën e repartit të sintezës së amoniakut, si dhe ndryshimi i skemës së automatikes, punë e bërë nga, Dhimitër Bilero dhe Thanas Nakuçi, nën drejtimin e Berti Lalos. Ndër inxhinierët me kapacitet tekniko-shkencor, në vitin 1970 Berti kalon në grupin teknik pranë byrosë teknologjike së bashku me inxh Harito Gribizi. Nën drejtimin e këtij grupi u bënë mjaft modifikime, novacione dhe riparime me vlera të mëdha ekonomike, të cilat i qëndruan gjatë proçesit të prodhimit, deri në falimentimin e “Azotikut” nga qeveritë e pas viteve 90-të, siç ishin:

Me bashkshorten Elvira Lalo

Vendosja e skemës së automatikes, me qëllim identifikimin e arsyeve të ndalesave pa sinjalizim në skenën ekzistuese. Instalimi i motorrit të kompresorit të ajrit 4000 K/ë dhe skemës përkatëse të automatikes. Një nga projektet e mendimit shkencor më me vlerë ekonomike të inxh Bert Lalos dhe bashkpuntorëve të tij ,inxh Mondi Hoxha, Mihal Pikuli, ishte studimi, projektimi dhe vënia në zbatim të  furnizimit me energji elektrike pa ndërprerje Azotik-Ure, të cilët me profesionalizëm të lartë kryen këtë proçess mjafë delikat, në aparaturat elektrike të Kombinatit Kimik(përfshiheshin tre uzinat, Azotiku dhe dy Uretë) këtu në Fier, dhe me kontributin e mjeshtrave elektrik ,Dhimitër Bilero, Serjan Serjani, e Xhemal Hitaj.

Në kujtesën e gjithë personelit inxh-teknik të elektriku vlerësohen mjaft lartë të gjithë specialistët, por në veçanti inxh Robert Lalon e Bashkim Banon, duke i cilësuar si: “YJE” të elektrikut. Si inxh dhe specialist me kapacitet shkencor dhe menaxhues i aftë ishte ndër më të kërkuarit nga Ministria Energjitike dhe ajo e Minierave duke patur oferta prej tyre. Kështu në vitin 1979 tranferohet pranë Institutit të Projektimit të Minierave. Atje u angazhua në projektimin e pjesës elektrike të fabrikës së fosforiteve në Gusmar të Tepelenës. Në vitin 1980, u transferua në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, në Drejtorinë e Objekteve. Prej vitit 1985, deri në vitin 2004,  ushtroi detyra të ndryshme në Ministrinë e Energjëtikës (si specialist në Drejtorinë Elektrike, specialist për Investimet, drejtor i Drejtorisë Elektrike).

Për veprimtarine e tij tekniko- shkencore, si krijues e duke i dhënë zgjidhje mjaft problemeve në fushen e energjitikes nga ish Presidjumi  Kuvëndit Popullor  është dekoruar dy here me “Urdhër Pune”, dhe dy herë të klasit të tretë. Për moshe në vitin 2004 doli në pension. Nga viti 2004, deri në vitin 2009, ka punuar si specialist në një kompani Norvegjeze. Kjo kompani ushtronte aktivtetin e saj në zbatimin e projekteve për ndërtimin e Hidrocentraleve. Banon familarisht në qytetin e Tiranes.

Në periudhën që është aktivizuar në Ministrinë e Energjitikës, ka marrë pjesë në diskutimet dhe nënshkrimin e kontratave të ndërtim-montimit dhe vënien në shfrytëzim të Hidrocentraleve të Komanit dhe Banjës. Vazhdon të jetë në pension. Banon familjarisht në Tiranë, por shpirterisht jeton me shokët e Azotikut ku merr pjesë gjallërisht në takimet që organizohen. Berti do të kujtohet dhe mbetet si etalon i një specialist me bagazh të lartë shkencor, novator i zoti, si një qytetar model, por edhe si një njeri i përkushtuar dhe human, i dashur, i respektuar dhe me plotë humor.

Roberti, Bashkim Bano dhe Harito Gribizi. Viti 1967
Takim pas 50 vjetësh

Burimi: telegraf.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button