Ekonomi

Mbi 12 mijë familje kompensohen për faturën e ujit! Ja kategoritë që përfitojnë, aplikimi dhe dokumentet që nevojiten

Nisma e qeverisë për kompensimin deri në 5 m3 ujë në muaj për disa kategori familjesh po jep frytet e para.

Cest la vie

Numërohen mbi 12 mijë familje që kanë aplikuar dhe përfituar nga kjo skemë nga muaji mars deri në fund të muajit që lamë pas, korrikun duke përfituar një vlerë financiare që i kalon 12.5 milionë lekët.

Ky është bilanci 5-mujor i bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila fton të tjerë qytetarë që i përkasin kategorive në nevojë (referuar tabelës përbri shkrimit) të jenë në mesin e përfituesve. Ujësjellësit, për çdo familje që u përket kategorive të përmendura dhe që aplikojnë për t’u bërë pjesë e skemës, zbresin këtë shumë nga fatura mujore do të marrin në formën e subvencioneve këtë vlerë nga Agjencia Kombëtare për Ujësjellës-Kanalizimet.

Një udhëzim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar metodologjinë për zbatimin e këtij urdhri përdoret për shpërndarjen e subvencioneve ku përveç kompensimit që shkon për familjet në nevojë dhe që do të tërhiqet nga ujësjellësit si subvencion merr parasysh edhe pagesën e energjisë elektrike.

SUBVENCIONIMI

Subvencioni do të shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve në masën e planifikuar në ligjin vjetor të buxhetit, në përputhje me zërin buxhetor subvencione, me llogari ekonomike dhe të gjithë shtesave të tjera të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave. Subvencioni, nënvizohet në dokumentin e hartuar nga Ministria, do të shpërndahet për të subvencionuar konsumin deri në 5 m3 për kategoritë në nevojë.

Kategoritë përfituese janë pesë, referuar nenit 7 të ligjit për asistencën sociale: familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme, jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore, prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqëror.

Konkretisht këto kategori do të kompensohen në masën 100% për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 m³/muaj ujë të pijshëm për kontratë, për të përmbushur nivelin minimal jetik. Për këto kategori do të subvencionohet edhe tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotur urban.

Zbritja për kategoritë e lart përmendura të kësaj metodologjie bëhet automatikisht në faturën mujore të gjeneruar nga shoqëria përkatëse ujësjellës-kanalizime. Kompensimi jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht nëse ato mund të kenë në përbërje persona që përfshihen në më shumë se një nga grupimet apo kanë në përbërje më shumë se një anëtar që i lind e drejta e përfitimit.

Sa u takon subvencioneve dhe ku orientohen ato metodologjia nënvizon se “prioriteti për përdorimin e fondit nga shoqëritë aksionere të ujësjellëskanalizimeve (rajonale ose jo) është si më poshtë: a) Shoqëritë e përdorin fondin për të akorduar çdo muaj, përmes një zbritjeje 100% në shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të kategorive të përcaktuara deri në masën 5 m³/muaj; Pjesa e mbetur e fondit të subvencionit, nëse do të jetë rasti, do të përdoret nga shoqëritë UK për mbulimin e kostos së energjisë elektrike, me kusht që shoqëritë të kenë mbi 75% të volumit të prodhimit të ujit me ngritje mekanike”. Vlerësimin për nevojat për subvencion e bën Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime në bazë të dokumentacionit që paraqitet nga ndërmarrjet e ujësjellësit.

DOKUMENTET QE DUHEN DOREZUAR

Mjet identifikimi Librezë uji Vërtetim i përfitimit të ndihmës ekonomike (e-Albania)

KATEGORITE QE SUBVENCIONOHEN

a) Familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme.

b) Jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

c) Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.

ç) Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.

d) Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqëror.

/Gazeta Panorama

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button