Opozita proteston sot në orën 17:00. Ja rruga që bllokohet në Fier, dhe në qytetet e tjera
Partia Demokratike do të protestojë sot në orën 17:00, duke vënë në zbatimin skenarin e saj të mosbindjes civile.
E në këtë aspekt, do të bllokohen disa rrugë në kryeqytet por edhe në segmente rrugore kombëtare të qyteteve të tjera.
Kështu, në Tiranë do të bllokohet mbikalizimi te kthesa e Kamzës në hyrje të kryeqytetit.
Protestuesit do të bllokojnë edhe rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan, pra në 5 qytete.
Në rrethrrotullimin e Levanit, bllokimi i rrugëve do të drejtohet nga degët e PD në Fier, Vlorë, Gjirokastër e Berat.
Në rrethrrotullimin e Shkozetit, bllokimi i rrugëve do të drejtohet nga degët e PD në Durrës, Krujë, Shijak.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, bllokimi i rrugëve do të drejtohet nga degët e PD në Elbasan e Korçë.
Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, bllokimi i rrugëve do të drejtohet nga degët e PD në Lushnje, Kavajë, Rrogozhinë e Divjakë.
Policia ka angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe të koordinuar trafikun në rast bllokimesh.
Një ditë më parë, Partia Demokratike informoi Policinë e Shtetit për protestën që do të zgjasë 3 orë, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Por Policia e Shtetit ka marrë përsipër garantimin e rendit gjatë protestës, por u ka kujtuar organizatorëve se bllokimi i rrugëve dhe pengimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve është vepër penale.
Protesta e fundit e opozitës u mbaj më 7 Tetor pas burgosjes së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji.
/tvklan.al