Home Lajme nga Fieri Pakkush e di se në lulishten para Katedrales së Fierit gjenden objektet...

Pakkush e di se në lulishten para Katedrales së Fierit gjenden objektet antike 2400-vjecare! Historiani: Duhet të përfshihen në guidën turistike

1754

Në Katedralen e Shën Gjergjit, në qendër të Fierit, gjenden disa objekte antike, 2400 vjecare por që kanë mbetur jashtë vemendjes. Sipas historianit Ilirjan Gjika, këto objekte duhet të përfshihen në guidat turistike dhe të shërbejnë si pikë reference për turistët.

Nga Marsela Topi / Një kolonë cilindrike prej guri gëlqeror, e cila sipas historianit Ilirjan Gjika mund të ketë ardhur nga rrënojat e Apolonisë gjendet ne kishën e Shen Gjergjit.

Objekti është përdorur si spolie në muret e kishës, ndërsa prova më e qartë e vjetërsisë së saj është një foto-kartolinë e viteve 1930, ku kolona shfaqet pa selvinë, e cila është mbjellë më vonë. Sot, kolona dhe selvia “bashkëjetojnë”, duke formuar një ansambël unik ndërtimor.

Pesë objektet e tjera, janë gjetur vetëm një vit më parë gjatë punimeve për ndërtimin e Mitropolisë së re.

At Dhimitër Loshi shpjegon se prane kishes ka qene nje varreze. Sipas tij, kolona cilindrike mund të ketë qenë një nga kolonat e tryezës së shenjtë, ndërsa pesë objektet e reja të zbuluara me vone, përdoreshin si gurë varresh.

Historiani Ilirjan Gjika thekson se këto objekte, më të vjetrat e qytetit duhet të përfshihen në guidat turistike dhe të shërbejnë si pikë reference për turistët e huaj, duke u bërë pjesë e tureve kulturore.

Kisha e Shën Gjergjit është e shpallur monument kulture dhe nën mbrojtjen e shtetit, garanton ruajtjen e trashëgimisë historike dhe arkeologjike te saj.

shqiptarja.com