Kriza e Apolonisë nuk ka ndërmend të ndalet. Në javën e 24-të të Kategorisë së Parë, fierakët u mposhtën 1-2 nga Pogradeci në stadiumin “Loni Papuçiu” duke regjistruar ndeshjen e 9-të radhazi pa fitore, një seri alarmante që e ka zhytur ekipin në fundin e renditjes dhe ka shtuar ndjeshëm zhgënjimin te tifozët.
Miqtë kaluan në avantazh që në minutën e 12-të me grekun Lesai, ndërsa Apolonia reagoi në pjesën e dytë me nigerianin Umejiego në minutën e 53-të, duke rikthyer baraspeshën dhe shpresën në stadium.Por kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutën e 89-të ishte Pius ai që ndëshkoi sërish Apoloninë, duke vulosur fitoren për miqtë.
Ndërkohë, vazhdon heshtja e drejtuesve përballë rezultateve negative dhe rënies së vazhdueshme në renditje, gjë që shihet si një papërgjegjshmëri e theksuar dhe mungesë respekti ndaj fanellës, traditës dhe qytetarëve fierakë.



