Nga Erion Delvina
Minuta e tridhjetë e tetë, krosim i bukur i nr. 23 të Egnatias, Kryeziut, nga 3/4 e krahut të djathtë. Gruda dhe Sota bëjnë një lëvizje të bukur skuadre me njeri-tjetrin në zonën kundërshtare. I pari merr me vete mbrojtësin shkodran, i dyti del paralel me shtyllën e parë fiton metra dhe jep një goditje mjeshtërore me kokë nga 12 metra, duke i dhënë topit forcën e duhur dhe një drejtim parabole, që e bën topin të paarritshëm për Poshin e Vllaznisë, i cili kishte bërë një dalje të lehtë përpara. Egnatia 1, Vllaznia 0. Eljon Sota, nr. 28, shënon.

Eljon Sota është disi edhe krenaria fierake në majat më të larta të futbollit vendas, si për t’i kujtuar të gjithëve se djemtë e qytetit janë aty, zanatçinj, duke bërë mirë atë që dinë të bëjnë më mirë; modelet e drejtimit janë ato që kanë dështuar në Myzeqe.

Sota, ish-kollona qendërmbrojtëse e bardhjeshilëve, luan vetëm 40 minuta larg, buzë Shkumbini, e vijon të shkëlqejë e të fitojë.
Për shokë në skuadër ka edhe mbiemra që për veshët e fierakëve mund të jenë të dëgjuar: Aleksi e Poçi.
Për të dytin vit radhazi Sota po shkon drejt titullit kampion me të vetët, me meritë.

Nëse vjet ishte edhe përvoja e tij që e ndihmoi skuadrën, këtë herë ka marrë edhe më shumë lidership përsipër, duke u bërë makthi i kundërshtarëve me ndërtimet nga poshtë, vertikalizimet e bukura që gjejnë sulmuesit e së fundmi edhe golat për të vetët. Nuk është një makineri e pagabueshme. Dje më bëri të kujtoja Maldinin. Një çast Kevin Dodaj e nxori jashtë kohe, por në harkun e dy sekondave dhe në 5 metra distancë, Sota ia bllokoi rrezen dhe e shfuqizoi një veprim në shpejtësi me shumë potencial rreziku.
Aty m’u kujtua Maldini që thoshte me fjalë të tjera: “Të gjithë gabojmë, mbrojtësit e mirë dallojnë nga forca dhe këmbëngulja e përpjekjes për ta korrigjuar gabimin sa më shpejt dhe sa më mirë”.

I kam kërkuar fanellën kujtim nga kjo Superiore, për respektin që kam për të por edhe për skuadrën e tij.
Më pëlqejnë shumë fundjavat turistike në Rrogozhinë, një drekë detare në kryqëzimin e atjeshëm dhe një ndeshje në stadiumin e tyre të paqtë, ku luhet futboll evropian.
Ua kam këshilluar të gjithë miqve që njoh Rrogozhinën si turizëm futbollistik.
Cilësia e Egnatias së Rrogozhinës në fushë meriton turizëm futbollistik, siç kalaja e Bashtovës atë historiko-kulturor dhe bregdeti i Bashtovës e Spillesë dhe grykëShkumbini atë detar e aventurier.
Në Rrogozhinë dominon kuzhina myzeqare, falë afërsisë gjeografike, që nënkupton kuzhinë bio e të një cilësie shumë të lartë. Pjekjen e ka marrë prej Shqipërisë së Mesme. Kombinim i shkëlqyer.
Goli i Sotës, për fatin tim të keq e nxori aritmetikisht Dinamon nga gara e kampionëve për këtë vit, por njëherësh edhe e ngriti lart modelin Dinamo.
Sepse modelet për Dinamon dhe Egnatian, janë të ngjashme: Cilësia në fushë, cilësia në tifozeri. Xhevdet Zekaj, dinamovit i hershëm, sot zyrtar i lartë i klubit rrogozhinas, diçka di.
Dinamoja dhe Egnatia ngjajnë shumë: futboll modern dhe tifozeri të paqta, lenë fushën të flasë dhe për të dyja ato, një fitore nuk është fitore nëse nuk vjen me lojë të bukur.
Më vjen mirë që Dede e ka nisur me këmbën e duhur, me brumin e ardhur falë punës së shkëlqyer e jo për t’u harruar të mjeshtër Tetovës.
Për mua këtë vit e meritojnë dhe ua uroj, do t’ua duartrokas e do t’ua mbështes të tretin radhazi.





