Home Sport Apolonia “low cost”, më shumë afrikanë se shqiptarë në federime

Apolonia “low cost”, më shumë afrikanë se shqiptarë në federime

850

Apolonia ka nisur sezonin 2025-2026 në mënyrë jo të kënaqshme, me një humbje 2-1 në Kukës dhe një barazim 1-1 ndaj Luftëtarit në “Loni Papuçiu”.

Rezultatet nuk janë pozitive, por ajo që ngre më shumë shqetësime te tifozët fierakë është mënyra se si është ndërtuar skuadra.

Në një merkato ku shumë klube shqiptare bënë ndërhyrje të bujshme, Apolonia ka qenë nga më pasivet, duke federuar më pak lojtarë se çdo ekip tjetër.

Dhe ajo që është bërë, ka pasur një prirje të qartë, afrikanët. Nga 19 futbollistë të regjistruar, gati gjysma janë nga Nigeria, ndërkohë që në listë figurojnë edhe emra nga Togo dhe Gana. Përveç afrikanëve, lojtarët e tjerë janë nga Serbia dhe disa shqiptarë të shpërndarë.

Ky dominim i afrikanëve është dukuri e re për tek Apolonia. Prej disa sezonesh tek Apolonia kanë qenë të pranishëm lojtarë të huaj, por kurrë në këto përmasa. Nëse më parë shihej si një ndihmë për të rritur cilësinë e skuadrës, afrikanët tashmë nuk ka sjellë ndonjë përfitim real financiar.


Federimet për sezonin e ri përfshijnë emra si: Albashir Musa, Anthony Mmesoma Umeijego, Francis Ndubuisi, Gafar Olavale, Miracle Amagba, Olanrewaju Folorunsho, Quan Alaba Idris, Raymond Onyeuvuenyi, të gjithë nga Nigeria, si dhe Bernardin Ayivi Kofi nga Togo dhe Vincent Anane nga Gana.

Nga ana tjetër, lojtarët shqiptarë të federuar janë në numër më të pakët dhe në pjesën më të madhe të rinj, si: Alvin Mahmutaj, Arlind Leshi, Enea Topi, Ersildjo Asllanaj, Klejad Hokhaj, Leonard Kacaj, Mikel Rakipaj dhe Xhovalin Trifoni.

Në total, vetëm 8 lojtarë shqiptarë.
Pyetja që lind është: Apolonia duke rrezikuar identitetin e saj?

Klubi ka qenë gjithnjë një vatër talentesh fierake dhe një bazë e rëndësishme për futbollin shqiptar.

Sot, me një përqindje kaq të madhe lojtarësh afrikanë, tifozët ndihen se skuadra është kthyer në një eksperiment afrikan për të testuar lojtarë që më pas mund të përfundojnë diku tjetër.

Trajneri serb, Marko Jovanoviç, e ka ndërmarrë këtë projekt duke dashur të provojë se ky projekt mund t’i japë fryte në fushë.


Por nisja me humbje dhe barazim, si dhe lojërat jo shumë premtuese cilësore vendase, e bëjnë vështirë për t’u besuar se ky është drejtimi i duhur për të ardhmen.

Në Fier, dilemat janë të mëdha: do të vazhdojë kjo strategji për të rinjgritur klubin apo do të mbetet një tjetër sezon zhgënjyes për Apoloninë?

Burimi: Panorama Sport