Home Sport “Çdo gjë erdhi nga stërvitja, i kënaqur nga disiplina e ekipit”. Jovanoviç:...

“Çdo gjë erdhi nga stërvitja, i kënaqur nga disiplina e ekipit”. Jovanoviç: Apolonia shfaqi fytyrën e vërtetë

633

Apolonia e drejtuar nga trajneri Marko Jovanoviç rezulton si skuadra e momentit në Kategorinë e Parë. Pas një nisjeje jo të mirë të sezonit, Apolonia u mendua se do të ishte një nga zhgënjimet e mëdha të këtij edicioni. 

Por, rezultatet e dy javëve të fundit kanë treguar një fytyrë krejt tjetër për skuadrën fierake. Me 6 pikë të grumbulluara në 180 minutat e fundit, të besuarit e trajnerit Marko Jovanoviç e shohin veten si forcë e tretë e kampionatit. Të shtunën, Apolonia mposhti Kastriotin me rezultatin 2-0 në stadiumin “Loni Papuçiu”. Fitorja u vulos brenda tre minutave të pjesës së dytë, fillimisht shënoi Xhovalin Trifoni në minutën e 54-t, ndërsa tre minuta më vonë dyfishoi Antoni Umeijego, që kryeson listën e golashënuesve të kampionatit me 4 gola në 4 javë.  Pas ndeshjes, trajneri Jovanoviç nuk e fshehu kënaqësinë, jo vetëm sa i përket rezultatit, por edhe zbatimit të detyrave nga ana e futbollistëve. Sipas trajnerit serb, ndaj Kastriotit u pa fytyra e vërtetë e Apolonisë.

Për “Panorama Sport”, trajneri Jovanoviç deklaroi: ”Jam shumë i kënaqur për skuadrën dhe lojtarët, që pas pushimit nga angazhimet e kombëtareve nisëm me dy fitore radhazi. Mendoj se tifozët tanë panë një ndeshje të mirë mes dy ekipeve të forta. Shkuam mirë në intensitet, krijuam shumë raste dhe shumë kalime nga mbrojtja në sulm. Jam i kënaqur me përkushtimin dhe disiplinën e skuadrës gjatë lojës. Kjo është një fitore e rëndësishme për ne dhe një motiv shtesë për ndeshjet e ardhshme. Goli i parë erdhi pas presingut të lartë dhe topit që morëm nga portieri kundërshtar. Shënuam edhe dy herë të tjera në situata të ngjashme dhe me kalime perfekte, një gol u anulua për pozicion jashtë loje, dhe ndeshja përfundoi 2-0. Jam i lumtur që të gjitha situatat që shfaqën në lojë kishin dalë nga stërvitjet dhe ajo që përgatitëm për këtë ndeshje. Urime për lojtarët dhe shpresoj që të vazhdojmë me rezultate pozitive në ndeshjen e ardhshme”. Të shtunën fierakët janë mysafirë në Peshkopi, ku padyshim do të kërkohet suksesi i radhës nga të besuarit e trajnerit Jovanoviç, që në 4 javët e para kanë marrë 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, me golavarazh pozitiv, 6-4.

Objektivi- Më herët, në lidhje me aventurën e tij në Fier dhe objektivat, për “Panorama Sport” trajneri Jovanoviç deklaroi: “ Për mua, Apolonia është një sfidë e madhe. Objektivi im është të zhvilloj skuadrën, të përmirësohemi javë pas jave dhe të krijojmë një stil loje të dallueshëm. Si skuadër, synimi është të jemi konkurrues me çdo kundërshtar dhe të rritemi çdo ditë. Në planin afatgjatë duam stabilitet dhe një vend në Superiore. Ne jemi gati të luftojmë. Do të përpiqemi të luajmë me qetësi dhe disiplinë, ndeshje pas ndeshjeje, pa ushtruar presion mbi rezultate. Synimi është të rritemi si klub. Dëshira ime personale është të udhëheq këtë skuadër drejt Superiores”.

5 sezone

ka Apolonia larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2020-2021. Ecuria e viteve të fundit ka bërë që fierakët të vazhdojnë të jenë larg elitës. 7 pikë ka grumbulluar Apolonia në 4 javët e luajtura, ku e nisi me humbjen në Kukës, barazimin me Luftëtarin dhe dy fitoret radhazi.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL