Home Lajme nga vendi Drift me “BMW” në qendër të Vlorës, ndalohet 22-vjeçari, i sekuestrohet makina...

Drift me “BMW” në qendër të Vlorës, ndalohet 22-vjeçari, i sekuestrohet makina dhe patenta(Video)

381
drift bmw vlore

Policia e Vlorës ka gjobitur një 22-vjeçar pasi ka kryer manovra të rrezikshme ne rrugë me mjetin tip “BMW”. Siç duket në pamjet e publikuara nga policia, i riu bën drift me makinë në mes të rrugës.

Mësohet se policia ka gjobitur 22-vjeçarin me inicialet D.Xh., me 5200 lekë, iu hoq patenta dhe iu sekuestrua automjeti. I riu akuzohet për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Procedohet penalisht, gjobitet dhe i sekuestrohet automjeti një drejtuesi mjeti që rrezikoi sigurinë publike me manovra të rrezikshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në ngarkim të shtetasit D. Xh., 22 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në vendin e quajtur “Kapelja”, ka xhiruar gomat e automjetit tip “BMË”, në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar.

Njëkohësisht, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Vlorë i vendosën këtij shtetasi masë administrative në vlerën 5200 lekë, për shkelje të neneve 139/8, 153/5, 139/3, 190/1-6 dhe 120/1-6 të Kodit Rrugor, si dhe masën plotësuese të tërheqjes së lejes së drejtimit.

Në përfundim të të gjitha veprimeve procedurale dhe administrative, u bë edhe sekuestrimi i automjetit.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Vlorës apelon për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.