Ndahet nga jeta poeti i njohur Agim Doçi
Është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare poeti dhe autori i shumë këngëve të njohura, Agim Doçi. Burime bëjnë me dije se ai ndodhej në reanimacion që prej së Shtunës pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Lajmin e hidhur e bëjnë të ditur familjarë e miq të tij. Këta të fundit kanë përcjellë ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale.
Mësohet se varrimi do të bëhet nesër në Tiranë, homazhet do të mbahen në orën 11:00.
Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948. Është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajsia”.
Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.