Bota

“Babai, dashuria e jetës time!” Misteri, çfarë e shtyu italianin të vriste familjen. Shkon në 5 numri i viktimave

Sapo kishte kaluar ora 07:00, kur në apartamentin e katit të parë në pallatin që ndodhej në rrugën Ichnusa të Nuoro (Sardenjë, Itali), dhuna e një burri shpërtheu ndaj familjes dhe fqinjit të tij.

Cest la vie

Pasi vrau gruan dhe vajzën, e plagosi dy fëmijët e tjerë së bashku me fqinjin, i dha fund jetës në shtëpinë e nënës së tij të moshuar, në rrugën Gonario Pinna, aty ku plagosi edhe të ëmën. Djali 10-vjeçar dhe fqinji u dërguan në gjendje kritike për jetën. Pavarësisht përpjekjeve, ata nuk ia dolën të mbijetonin.

Është një masakër e vërtetë ajo që 52-vjeçari italian Roberto Gleboni, me profesion punonjës i pyjeve, ndërmori mëngjesin e së mërkurës. Bilanci është tejet i rëndë: 5 të vdekur dhe 2 të plagosur.

Pasi mori armën gjysmëautomatike të kalibrit 7.65, të cilën e kishte me leje dhe e mbante për arsye të paqarta, 52-vjeçari i cili përshkruhet nga të gjithë si një person i sjellshëm dhe i gjindshëm, nisi të qëllonte drejt gruas dhe fëmijëve. I goditi të gjithë duke synuar kokën: Giuseppina Massetti, 43-vjeçe dhe e bija 24-vjeçare Martina, vdiqën në vend. Më pas armën e drejtoi nga dy djemtë e tij, 14 dhe 10 vjeç: i pari mori një plagë të lehtë, por i dyti nuk pati të njëjtin fat. Pas kësaj iu drejtua shkallës së pallatit dhe qëlloi Paolo Sanna-n, pensionistin 69-vjeçar, pronar i shtëpisë që familja Gleboni kishte marrë me qira. Ai jetonte në katin e tretë, por me gjatë të shtënat e bënë që të zbriste poshtë. I moshuari mbeti i plagosur rëndë.

Roberto Gleboni nuk u ndal me kaq: Doli nga shtëpia me shpejtësi dhe shkoi në banesën e së ëmës, Maria Esterina Riccardi ndaj së cilës nxori armën duke e plagosur në fytyrë, fatmirësisht pa rrezik për jetën. Më pas pistoletën e ktheu nga vetja duke i dhënë fund jetës në kuzhinë.

Sirenat e ambulancave dhe 2 helikopterë të policisë dhanë alarmin në 07:30. Forca të shumta rrethuan të dyja banesat ku ndodhi masakra.

Agjencia Italiane e Lajmeve, ANSA, shkruan se deri në këto momente mbetet mister se çfarë ka ndodhur realisht në apartamentin e horrorit dhe cili ka qenë shkaku i kësaj masakre.

Të afërm e fqinj të familjes nuk kishin dyshuar asgjë. “Nuk kemi dëgjuar kurrë asgjë, asnjë zënkë, asnjë problem”, thonë në unison banorët e pallatit dhe lagjes ku ata jetonin. “Dy ditë më parë i pashë të ktheheshin të gjithë bashkë nga pazari, gjithçka dukej në rregull”.

Do të jenë hetuesit ata që do të rindërtojë gjithçka ndodhi, pasi të kenë marrë në pyetje personat më të afërt të familjes. Thelbësore do të jetë dëshmia e të mbijetuarve, për të kuptuar se çfarë e çoi 52-vjeçarin të ndërmerrte një akt të tillë.

Rreth orës 09:00, kur ambulancat mbaruan së nxituari nga njëra shtëpi drejt spitalit të San Francesco-s, në lagje ra heshtja, duke i lënë vend ulërimave të nënës së Giuseppina Massetti-t dhe gjyshes së fëmijëve: “Bija e zemrës time”, thërriste ajo me dëshpërim, pak para se t’i thonin se mbesa Martina kishte vdekur. Një ambulancë e mori nga aty, pasi i ra të fikët.

Martina, një vajzë 24-vjeçare, plot jetë, e cila ishte praktikante në gjykatën e Nuoro-s, linte kokën pas të atit. Në ditën e diplomimit, më 28 Prill të 2022-t, ajo u dedikoi prindërve disa fjalë: “Për nënën time që besoi tek unë para meje. Për babain tim, dashuria më e madhe e jetës time”./tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button