Gazment Bardhi propozon ngujim të Grupit Parlamentar në selinë e PD: Salianji të mos dorëzohet
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka propozuar deputetëve që të ngujohen në seli 24 orë pa ndërprerje dhe pa afat.
Gazetari Osman Stafa raporton se ‘grupi parlamentar i kërkon Salianjit që të mos dorëzohet dhe të mos zbatojë vendimin politik të Edi Ramës’.
Bardhi propozon Grupit: Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar ti kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike.
Kujtojmë që vetë Ervin Salianji ka deklaruar se do të dorëzohet vetë në polici.
Në një konferencë me gazetarët, Salianji e quajti dënimin e tij politik, ndërsa u shpreh se është një goditje nën brez për të kënaqur epshet e grupeve kriminale.
“Kjo është një goditje nën brez për të kënaqur epshet nën brez të grupeve kriminale. Por unë e di që kjo është mënyra më e mirë për ti thënë demokratëve dhe miqve që njeriu vlen nëse nuk përkulet, nëse kundërshtarin e përballon me cdo mjet. Sic e kam treguar në cdo përballje elektorale. Të njëjtën gjë do bëj edhe në këto momente. Nuk më trembin mua dhe opozitën. Përballë do më kenë sot, pas një viti, do më kenë gjatë këtij viti, e kështu me radhë derisa të rrëzohen”, tha nder te tjera Salianji.