Rriten rastet e murtajës afrikane të derrave në Shqipëri!
Pas rasteve të Hasit dhe Kukësit edhe në Lezhë është regjistruar rasti i tretë brenda këtij viti me murtajën afrikane të derrave. Në Malin e Rrencit në Shëngjin të Lezhës deri më tani janë gjetur dhjetë derra të ngordhur, pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë në masivin pyjor të zonës.
Sipas analizave të kryera nga Shërbimi i Veterinarisë në Lezhë rezulton se derrat kanë ngordhur nga murtaja afrikane.
“Pas konfirmimit të Murtajës Afrikane të Derrave, në Malin e Rrencit në datën 26.11.2024, Autoriteti Kombëtar i Veterinaris dhe Mbrojtjes së Bimëve ka vijuar në mënyrë intensive monitorimin e zonave perimetrale 3 dhe 10 km nga vatra e konfirmuar me Murtajën Afrikane të Derrave.
Shërbimi Veterinar Rajonal nuk e ka ndalur punën për zbatimin e Planit të Kontigjencës Nr.10390/1 Prot., datë 24.11.2020 “Për Sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave” duke dërguar për çdo ditë 5 grupe verifikimi dhe kontrolli për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Gjatë monitorimit të datës 28.11.2024, nuk janë evidentuar raste të reja dhe as shenja klinike gjatë monitorimit klinik të kafshëve në zonat e kontrolluara”, thuhet në njoftim./M.K-dritare.net