Boksieri fierak Aleksandër Kallashi në takim me kryebashkiakun Subashi: Synoj të mbrojë titullin botëror në Fier
Boksieri fierak Aleksandër Kallashi, fitues i dy titujve kampionë evropianë, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Bashkisë Fier, Armando Subashi, për të diskutuar mbi mbështetjen dhe mundësitë për të sjellë një ndeshje botërore në qytetin e tij të lindjes.
“Ëndrra ime është të mbroj titullin botëror në qytetin tim,” deklaroi 30-vjeçari gjatë takimit.
Kallashi, i cili së fundmi triumfoi në një natë spektakolare boksi në Durrës, theksoi rëndësinë e mbështetjes për të arritur majat e boksit botëror.
Kryetari i Bashkisë, Armando Subashi, u angazhua për të ndihmuar në krijimin e mundësive për stërvitje dhe për të organizuar evente ndërkombëtare në Fier.
“Është një krenari për qytetin tonë të kemi një kampion si Aleksandër Kallashi. Bashkia do të bëjë çmos për të mbështetur këtë talent të jashtëzakonshëm,” u shpreh Subashi.
Kallashi, i cili jeton prej vitesh në Gjermani, regjistroi fitoren e tij të fundit më 29 nëntor në Durrës, duke triumfuar ndaj boshnjakut Edis Biberoviç dhe duke fituar dy tituj evropianë në kategorinë e peshave të mesme (UBO dhe UBF).
Me 14 ndeshje në karrierën profesioniste, nga të cilat 11 fitore, 31-vjeçari shihet si një prej shpresave më të mëdha të boksit shqiptar.
Kallashi, i cili e nisi karrierën e tij që në moshën 13-vjeçare, premton se ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë drejt titullit botëror. “Po jetoj ëndrrën time, por kam ende shumë për të arritur,” përfundoi ai.