Home Sport Një nigerian lë Fierin për kombëtaren, Apolonia kërkon kthesën me Valbonën

Një nigerian lë Fierin për kombëtaren, Apolonia kërkon kthesën me Valbonën

237
0

Nga Hilmi Saliu / Barazimi me Vorën e detyron Apoloninë që në vazhdim të luajë më mirë, pa presion dhe të jetë e përqendruar ndaj Valbonës. Kjo shihet si e vetmja mënyrë për t’u rikthyer te fitorja, që mungon prej 7 javësh dhe për të marrë tri pikët në shtëpi.

Fierakët i pret një ndeshje e lehtë në letër të shtunën, por nga ana tjetër edhe dëmtimet janë kthyer në një “hall” të madh. Shqetësimi i fundit ka të bëjë me mbrojtësin dhe kapiteni i skuadrës, Ersildjo Asllanaj, i cili mungoi në stërvitje. Ai ka ndierë shqetësime në kavilje dhe burime pranë klubit konfirmojnë se 23-vjeçari do të nisë më vonë punën me grupin. Nuk dihet nëse do të jetë gati për Valbonën. Asllanaj luan si mbrojtës qendre dhe krahu tek Apolonia. Dëmtimin e pësoi kundër Flamurtarit, ku doli nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, pasi e kishte të vështirë të vendoste këmbën në tokë.

Një situatë që solli panik në radhët e Apolonisë, duke krijuar idenë se bëhej fjalë për një dëmtim serioz dhe një kohë të gjatë rikuperimi. Frika fillestare lidhej me dëmtim të gjurit, por dje Asllanaj ka bërë ekzaminimet përkatëse që kanë nxjerrë vetëm probleme në kavilje. Gjasat janë që ndaj Valbonës Asllanaj të mos jetë në fushë. Deri tani, ai ka qenë titullar i padiskutueshëm në prapavijë, përveç rasteve kur ka munguar për arsye kartonësh dhe dëmtimesh.

Albashir Musa- Ndaj Valbonës do të mungojë edhe mesfushori, Albashir Musa. Aventura tek Apolonia po i sjell fat Musas, pasi mësohet se ai ka marrë ftesë për herë të parë nga kombëtarja e Nigerisë. Bëhet fjalë për Nigerinë U-20, që merr pjesë në Kupën e Afrikës. Ai ka udhëtuar drejt Nigerisë për të qenë i grumbulluar me ekipin. Lajm i mirë është rikthimi i sulmuesit Umejiego, që e ka shlyer pezullimin njëjavor.

Përgatitjet- Stafi teknik, me në krye trajnerin Pajaziti, nuk ka humbur kohë duke vijuar me përgatitjet në kuadër të ndeshjes me Valbonën, që luhet të shtunën në Fier. Seancën e djeshme, Pajaziti e nisi me një analizë, që zgjati afro 40 minuta, ku u diskutua në teori rreth kundërshtarit. Më pas, skuadra zbriti në fushë për të zhvilluar seancën. Lojtarët u ndanë në dy grupe, titullarët në një anë dhe zëvendësuesi, së bashku me disa të rinj të akademisë, në anën tjetër. Të gjithë bënë 15 minuta vrapim të lehtë, më pas ushtrime aerobike dhe në fund lojë me top në kuadrat. Në fund ra në sy puna e veçantë që po bëhet me lojtarët e fazës ofensive, për mënyrën si duhet shkuar te goli. Pajaziti i ka mëshuar shumë këtij fakti në stërvitje, si pika e dobët të skuadrës, pasi kanë lënë shumë pika nga mungesa në finalizim.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here