𝑵𝒋ë 𝒔𝒉𝒌𝒓𝒊𝒎 𝒏𝒈𝒂 Prof. Dr. 𝑽𝒊𝒍𝒔𝒐𝒏 𝑺𝑰𝑳𝑶 (𝒏𝒊𝒑𝒊 𝒊 𝒔𝒂𝒋).
Lefteri Silo lindi në fshatin Pojan Fier, në 22.01.1937.
Në vitet 1945 – 1952 mbaroi shkollën elementare në fshatin e lindjes dhe në vitet 1952-1955 mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Beratit dhe fillon punë mësuese në fshatin Qarr të rrethit Fier deri në vitin 1957.
Dy vjet punë në fushën e mësuesisë qenë të mjaftueshme për t’u afirmuar e për t’u përzgjedhur nga institucionet skenike të rrethit si këngëtare e talentuar e këngës popullore qytetare myzeqare. ..
𝟒 𝐝𝐞𝐤𝐚𝐝𝐚 𝐚𝐫𝐭 𝐧ë 𝐄𝐬𝐭𝐫𝐚𝐝ë𝐧 𝐏𝐫𝐨𝐟𝐞𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐬𝐭𝐞 & 𝐀𝐧𝐬𝐚𝐦𝐛𝐥𝐢𝐧 “𝐌𝐲𝐳𝐞𝐪𝐞𝐣𝐚”.

Që nga 𝐯𝐢𝐭𝐢 𝟏𝟗𝟓𝟕 – 𝟏𝟗𝟗𝟒 punoi këngëtare dhe aktore në Estradën e qyteti të Fierit. Në muajin maj të vitit 1957, kur Estrada Profesioniste nisi veprimtarinë e saj si një institucion skenik, për mësuesen e fshatit Qarr nisi karriera, sa e bukur dhe aq e vështirë e artit skenik, të cilit për 37 vjet nuk do t’i ndahej. Kur Lefteria hodhi hapin e parë e u ngjit në skenë, ajo kishte bërë një hap të madh drejt emancipimit, drejt çlirimit nga kthetrat e patriarkalizmit, të cilat e kishin ndrydhur gruan myzeqare dhe e kishin bërë skllave të mureve të shtëpisë. Nga lartësitë e skenës ajo shihte horizonte të reja, kishte tashmë tjetër vizion për jetën e shoqërinë dhe të tjera pika referimi. Ajo ishte thirrurr në skenë për këngën myzeqare dhe për gati katër dekada e ngriti atë në nivele më të larta, më korrekte, më shprehëse e më emocionuese. Kjo artiste gjeti tek kënga e popullit gurrën e freskët, flladitjen.
Sa shumë emocione, sa shumë kënaqësi e gëzime u dhuroi ajo adhuruesve të këngës popullore qytetare myzeqare, të cilët i dhuruan duartrokitje të stuhishme e çaste lumturie. Jeta dhe veprimtaria artistike e kësaj artisteje ka qënë lidhur ngushtë me ansamblin artistik “Myzeqeja” dhe Estradën Profesioniste të qytetit të Fierit. Nuk ka veprimtari brenda dhe jashtë vendit pa praninë e kësaj këngëtareje, pa zërin e saj. Aktiviteti artistik pasqyrohet në këngët e bukura myzeqare, duke u bërë një nga simbolet e saja. Me dimensionin e personalitetit të saj shpjegohet suksesi edhe në interpretimin e këngës popullore të krahinave të tjera, të muzikës së lehtë, e madje, loja me karakter individual si aktore në shumë skeçe si p.sh.: mamaja te skeçi parodik “Emision i jashtëzakonshëm”, gruaja e Banushit te skeçi “Këtu paska konita” e shumë e shumë të tjera.
Por sidoqoftë, persosmëria e artit të saj mbeti në intonacionet e bukura e me aq mjeshtëri te kënga popullore qytetare myzeqare. Edhe ajo vetë e ndiente Myzeqenë në rrafshin me të përshtatshëm të këngës së saj të pashtershme. Shfaqjet në fshat shpesh herë ktheheshin në festë popullore. Në njërën prej këtyre festave zëri i saj intonohej aq bukur saqë xha Metja nga Cakrani i Fierit, nga kënaqësia, e thirri në mes të shfaqjes me fjalën e ëmbël: “Hajde, bilbil i Myzeqesë – merrja edhe njëherë asaj kënge “Penxherenë e zotërisë sate ç’ta ka zënë pema jeshile”.
Edhe vajza myzeqare, me zërin e saj të bukur e melodioz, ligjëroi në të gjitha krahinat e vëndit si në shtëpinë e saj.
Lefteria ka dhënë ndihmesë të madhe në konsolidimin e ansamblit artistik “Myzeqeja” në të cilin debutoi me sukses edhe në mjaft skena ndërkombëtare, ku është duartrokitur nxehtësisht. Nuk kishte shfaqje të ansamblit artistik “Myzeqeja” apo të Estradës profesioniste të Fierit pa u dëgjuar zëri i bukur i Lefterisë. Ajo kishte jo vetëm kërkesa artistike ndaj vehtes, por edhe kërkesa në marëdhenie sa më të mira me kolegët e saj që i donte aq shumë. Zëri i saj i bukur e melodioz do të dëgjohej jo vetëm në çdo vatër myzeqare, por në mbarë vendin nëpërmjet këngëve perla të Myzeqesë si: “Ç’u ngrita e vajta për ujë”, “Ma kishe dhe moj shtëpinë”, “Çobani dhe çobanka”, “Myzeqarka e vogël” e shumë e shumë të tjera.
Brezat e rinj të këngëtarëve dhe artistëve në Fier kanë mësuar shumë nga mjeshtëria e kësaj këngëtareje, e cila ka lënë pas një vepër të bukur, një buqetë këngësh, të cilat, sa herë do të këndohen e dëgjohen, do të ngjallin respekt dhe dashuri për këtë artiste. Këngëtarja Lefteri Silo u rrit dhe jetoi me këngët, prandaj edhe jeta e saj është një këngë që do të jetoj në vite.
𝐕𝐥𝐞𝐫ë𝐬𝐢𝐦𝐞𝐭
Pikërisht për këtë veprimtari intensive, për këtë përkushtim të plotë dhe këtë pasion të jashtëzakonshëm për artin skenik, këngëtarja e talentuar është nderuar me:
🏅Urdhri “Naim Frashëri”, klasi i tretë,
🏅Medalje “Naim Frashëri”
🏅”Qytetar Nderi” i Bashkisë Fier
📋Certifikatë “Sulmues i 35 – vjetorit të Çlirimit të Atdheut”..
Këshilli i Bashkisë Fier me vendimin nr. 87 datë 04.12.2002 i jep artistes Lefteri Kozma Silo (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” dhe një rruge në qytetin e Fierit i vihet emri i saj, rruga “Lefteri Silo” me motivacionin:“Për kontributin e saj të shquar në interpretimin virtuoz të këngës popullore myzeqare. Me talentin e saj interpretues ajo u bë simbol i këngës së trevës ku u lind dhe u rrit dhe që i kushtoi tërë jetën e saj. Këngët e saja janë pjesë e trashëgimisë së thesarit të kulturës sonë kombëtare dhe do të këndohen përherë me dashuri nga brezat e ardhshëm, duke kujtuar me respekt bilbilin e këtyre këngëve.”
✨️Por dekoratën me të lartë kjo artiste e ka marrë nga populli, nga artdashësit dhe adhuruesit e këngës popullore myzeqare. Ajo është fiksuar në kujtesën dhe në përfytyrimet e tyre si artistja virtuoze dhe interpretuese e talentuar i këngës magjepëse popullore të trevës së Myzeqesë.
Dhe jeta paska fund. Ajo u nda njëherë e përgjithmonë nga skena, të cilën e deshi aq shumë, nga Sofika Hodo, Fuat Boçi, Leonidha Prifti, Isuf Maloku, Timo Lule, Agim Dollani, Nikollaq Bulo dhe nga gjithë kolektivi i Estradës Profesioniste dhe Teatrit të qytetit të Fierit.
Më 22 korrik 1994, pas një sëmundje të rëndë, ajo u nda nga jeta. Kënga myzeqare humbi interpretuesen e talentuar, admiruesit këngëtaren e mirënjohur, kolegët partneren e denjë.
Por artistja nuk vdes. Ajo rron, se rron kënga në popullin artdashës të Myzeqesë.
©️Prof. Dr. Vilson SILO (nipi i saj).

