Home Aktualitet Nis aplikimi për në universitet, maturantët me mundësi regjistrimi në 3 raunde

    Nis aplikimi për në universitet, maturantët me mundësi regjistrimi në 3 raunde

    Maturantët që kanë mbyllur me sukses provimet e Maturës Shtetërore kanë nisur këtë të martë aplikimin për në universitet.

    Kejsi, maturantja e shkollës “Ismail Qemali”, së bashku me grupin tonë të xhirimit, ka renditur programet e preferuara të studimit dhe ka përzgjedhur si preferencë të parë Drejtësinë. Ajo sot ndihet e emocionuar që i erdhi dita të aplikojë për atë që nesër do të jetë profesioni i saj.

    Jam bazuar në dëshirat që kam pasur që fëmijë. Kam pasur shumë ndikime nga të afërmit, nga miqtë e mi, por në fund vendosa atë çfarë unë dëshiroj. Preferenca ime e parë është Drejtësia. E kam hedhur në të dyja mënyrat, edhe në shtet, edhe në privat, por preferoj më shumë që të më dalë në shtet, duke qenë se edhe kuotat janë më të larta, arsimi është më cilësor në mendimin tim. Ndërsa preferencë e dytë është gjithmonë Gazetaria, pasi është një degë që mua më ka pëlqyer gjithmonë dhe një fushë pune që unë mendoj se do të më përshtatej shumë,” thotë studentja e re.

    Pas shumë përllogaritjeve që ka bërë dhe duke pasur parasysh kriteret e universitetit ku ka vendosur të aplikojë, Kejsi është plot shpresë se do ta arrijë qëllimin.

    Besoj që kam shanse shumë të larta për t’i kapur të dyja degët, qoftë në privat, qoftë në shtetëror,” shprehet ajo.

    Për të rezultuar fituese në Drejtësi, ajo ka zgjedhur të profilizohet në gjimnaz në degët shoqërore.

    Unë kam zgjedhur Shoqëroret duke qenë se e dija rrugën time, se çfarë universiteti do të aplikoja. Mendoj që këto lëndë më kanë ndihmuar shumë për të plotësuar kriteret universitare, të cilat duhen për t’u pranuar regjistrimi ynë në universitet,” tregon Kejsi.

    Aplikimi mund të kryhet në çdo mjedis ku ka akses interneti, si në shtëpi, nëpërmjet telefonit, por edhe pranë çdo shkolle të mesme në ato raste kur maturantët kanë nevojë të konsultohen me mësuesit.

    Gazetare: Keti Toroveci