Home Lajme nga Fieri Trombektomia – ndërhyrja e avancuar që po shpëton jetë në Spitalin Memorial...

Trombektomia – ndërhyrja e avancuar që po shpëton jetë në Spitalin Memorial të Fierit

Spitali Rajonal “Memorial” në Fier, një nga institucionet më moderne publike të shëndetësisë në vend, është shndërruar në qendër referimi për trajtimin e avancuar të insultit ishemik, falë kryerjes së procedurës së trombektomisë – një ndërhyrje urgjente që mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.


 
Ndërhyrja e parë me këtë procedurë u krye në prill të këtij viti, duke shënuar një arritje për këtë spital që mbulon kryesisht nevojat e jugut të Shqipërisë.


 
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e përshkroi këtë ndërhyrje si jetëshpëtuese, duke shpjeguar se heqja e mpiksjes nga arteriet cerebrale rikthen qarkullimin normal të gjakut dhe minimizon dëmet neurologjike. Kjo arritje, sipas ministres, është e mundësuar falë “bashkëpunimit të shkëlqyer të ekipit multidisiplinar shqiptaro‑turk, përbërë nga dr. Hasan Bayındır, dr. Ümit Görgülü, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria, dr. Turhan Güler, dr. Arlinda Abazaj, dr. Mesut Karataş dhe teknikët Halil Ibrahim Özkan, Temel Acar dhe Evis Maqina.”

Trombektomia është një procedurë invazive e kryer përmes një kateteri të futur në një arterie, zakonisht në këmbë ose në krah, i cili udhëhiqet deri në tru për të hequr mpiksjen e gjakut që ka bllokuar një enë gjaku kryesore. Në këtë mënyrë rikthehet qarkullimi cerebral, duke parandaluar dëmet e parikuperueshme. Koha është thelbësore – ndërhyrja duhet të realizohet brenda gjashtë orëve nga fillimi i simptomave, megjithëse në disa raste mund të kryhet deri në 24 orë.


   
Në Spitalin Memorial, trombektomia realizohet nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga neuroradiologë interventivë, neurologë, anestezistë dhe personel i specializuar në kujdesin intensiv. Spitali është i pajisur me një angio-sallë të standardeve të larta, CT perfuzionale dhe angio-CT, që mundësojnë diagnostikim të shpejtë e të saktë. Procedurat kryhen sipas protokolleve të përbashkëta turko-shqiptare, të harmonizuara me standardet e Bashkimit Europian dhe Turqisë, duke ofruar shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.


 
Ky shërbim i avancuar është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, ku aksesimi i trombektomisë në spitalet publike ka qenë i kufizuar. Me këtë procedurë pacientët përfitojnë rritje të ndjeshme të mundësisë për rikuperim pa pasoja të rënda, zvogëlim të vdekshmërisë dhe të paaftësisë pas insultit, si dhe një alternativë të vlefshme kur terapia trombolitike nuk jep efekt.


 
Spitali “Memorial” në Fier, i hapur në vitin 2021 me mbështetje të Turqisë, tashmë jo vetëm që gëzon autonomi menaxheriale dhe financiare, por është shndërruar në një model menaxhimi dhe shërbimi mjekësor për të gjithë vendin, duke sjellë teknologji dhe procedura që shpëtojnë jetë, siç është trombektomia.


 
 Po ashtu një ndërhyrje tjetër e avancuar neurokirurgjikale u krye për herë të parë në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit në korrik të këtij viti, duke shënuar një hap të madh për shërbimet e specializuara në jug të Shqipërisë. Procedura, e njohur si kranioplastikë, u realizua mbi një pacient 75-vjeçar, i cili kishte pësuar një goditje të rëndë në tru dhe iu desh t’i hiqej një pjesë e kafkës për të shpëtuar jetën. Pas gjashtë muajsh trajtimi dhe kujdesi të vazhdueshëm, mjekët i vendosën sërish pjesën e munguar të kafkës, duke i rikthyer funksionet normale dhe duke shmangur komplikacione të rënda.
 
Edi Rama e bëri publik lajmin asokohe përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar ndërhyrjen si dëshmi të përparimit të spitalit.
 
Ndërhyrja të tilla e vendosin Memorialin ndër institucionet publike me kapacitet për procedura të tilla në vend.
 
Në mars 2023, u bë institucioni i parë publik në Shqipëri që fitoi Kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke siguruar administrim të decentralizuar të burimeve njerëzore dhe financiare. Në mars 2025, mori edhe Kartën e Autonomisë Financiare, duke u kthyer në një model menaxherial për sistemin shëndetësor shqiptar.
 
Spitali është ndër më të pajisurit në jug të vendit, me rezonancë magnetike (MRI) të gjeneratës së fundit, CT skaner me shumë prerje, pajisje për kirurgji minimale invazive dhe sisteme për angiografi cerebrale e vaskulare.

Burimi: Gazeta TEMA