Në Muzeun Historik të Fierit është prezantuar Libri “Historia e Apollonisë së Ilirisë”, me autor arkeologun dhe profesorin e asociuar Bashkim Vrekaj.

Vepra trajton në mënyrë të plotë jetën politike, kulturore, ekonomike të qytetit antik të Apolonisë.
Libri me autor arkeologun dhe profesorin e asociuar Bashkim Vrekaj, është prezantuar në ambientet e Muzeu Historik Fier, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe dashamirësve të historisë.

Kjo vepër trajton në mënyrë të plotë jetën politike, kulturore, artistike, fetare, sociale dhe ekonomike të qytetit antik të Apolonisë, një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir dhe më gjerë.
Vetë autori, Bashkim Vrekaj, thekson se vlerat e kësaj vepre qëndrojnë në bazimin e saj mbi dokumente dhe zbulime arkeologjike të realizuara ndër vite në Apoloni.

Historiani Ilirian Gjika vlerëson librin si një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për studiuesit, por edhe për publikun e gjerë, duke nënvizuar rëndësinë e tij në edukimin historik të brezave të rinj.
Edhe arkeologu Admir Xhelaj, i lidhur me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, thekson se libri sjell fakte të rëndësishme, duke evidentuar se qyteti i Apolonisë ka një diferencë kohore pesë vjeçare në themelim krahasuar me Dyrrahun.
“Historia e Apollonisë së Ilirisë” mbetet një vepër me vlera të mëdha, e ndërtuar mbi prova dhe zbulime konkrete arkeologjike, që ndihmon në njohjen më të thellë të një prej qyteteve më të rëndësishme të lashtësisë në territorin shqiptar.



