Home Kuriozitete Pse gënjejmë më 1 prill dhe si u kthye kjo ditë në...

Pse gënjejmë më 1 prill dhe si u kthye kjo ditë në traditë globale

Sot është dita kur mund të gënjesh pa u ndjerë keq (ose të paktën kështu pretendohet). Por nga erdhi 1 prilli dhe pse “e feston” gjithë bota?

Në Shqipëri e njohim si “Dita e Gënjeshtrave”, ndërsa në shumë vende njihet si “Dita e Budallenjve”. Një ditë që i kushtohet rrengjeve, shakave dhe atyre gënjeshtrave “të bardha” që, të paktën teorikisht, nuk duhet të lëndojnë askënd.

Origjina e saj nuk është plotësisht e qartë, por besohet se kjo traditë ekziston prej shekujsh. Ka të dhëna që në Britaninë e Madhe festohej të paktën që në shekullin XIX, fillimisht më shumë nga fëmijët, por me kalimin e kohës u përhap edhe te të rriturit.

Një nga teoritë më të përhapura e lidh fillimin e kësaj dite me Francën. Në vitin 1564, u bë kalimi nga kalendari Julian në atë Gregorian, duke zhvendosur festimin e Vitit të Ri nga fundi i marsit në 1 janar. Megjithatë, jo të gjithë e pranuan menjëherë ndryshimin dhe vazhduan ta festonin Vitin e Ri në fillim të prillit. Ata u tallën dhe u quajtën “budallenj”, dhe kështu, sipas kësaj teorie, lindi tradita e 1 prillit.

Më vonë, britanikët e kthyen këtë datë në një zakon argëtues, duke i bërë njëri-tjetrit rrengje çdo vit. Madje, në disa raste, shakatë kanë qenë aq të besueshme, sa janë marrë seriozisht edhe nga publiku. Një nga shembujt më të famshëm është ai i BBC-së në vitin 1957, kur u publikua një reportazh për “të korrat e makaronave” në Zvicër, duke treguar njerëz që mblidhnin makarona nëpër pemë.

Sot, rrengjet janë më të thjeshta, por tradita vazhdon, shpesh me gënjeshtra të vogla që bëhen vetëm për humor.

Si festohet 1 prilli në botë?

Në Skoci, 1 prilli zgjat 2 ditë. Ditën e dytë njerëzit shpesh goditen papritur nga pas.

Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat lejohen vetëm deri në mesditë. Pas kësaj ore, loja konsiderohet e mbyllur.

Në Francë, Belgjikë, Itali dhe zonat frëngjishtfolëse të Zvicrës, fëmijët kanë një zakon interesant, i vendosin njëri-tjetrit në shpinë një letër në formë peshku, pa u vënë re.

Në Irlandë, ekziston tradita e “punës së budallait”, ku dikush dërgohet me një letër nga një person te tjetri, derisa në fund zbulohet që letra thotë thjesht: “Dërgoje budallain te dikush tjetër”.

Në Gjermani, praktikohet “Aprilscherz”, një histori e sajuar vetëm për të mashtruar të tjerët.

Në Greqi, besohet se nëse arrin të mashtrosh dikë më 1 prill, do të kesh fat gjatë gjithë vitit.

Ndërsa në Shqipëri, dita zgjat 24 orë dhe qëllimi është i thjeshtë, rrengu të jetë sa më i besueshëm.